LOKALE/Komuna e Gjilanit dhe Rrjeti i Grave të Kosovës fuqizojnë mekanizmin mbrojtës për viktimat

Në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet Komunës së Gjilanit dhe Rrjetit të Grave të Kosovës (RRGK), sot para Mekanizmit Koordinues Kundër Dhunës në Familje u prezantuan plani i punës dhe të gjeturat nga hulumtimi i realizuar nga RRGK-ja me institucionet komunale.

Ky bashkëpunim është formalizuar disa muaj më parë përmes nënshkrimit të Memorandumit të Mirëkuptimit, me synim funksionalizimin, fuqizimin dhe avancimin e punës së këtij mekanizmi mbrojtës.

​Gjatë takimit u prezantuan të gjeturat e hulumtimit, të cilat pasqyrojnë nevojat, sfidat dhe kërkesat e institucioneve komunale gjatë trajtimit të rasteve të dhunës në familje.

Po ashtu, u diskutua mbi rëndësinë e identifikimit të mangësive ekzistuese, përcaktimit të prioriteteve dhe planifikimit të veprimeve konkrete që do të ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e koordinimit ndërinstitucional dhe ofrimin e shërbimeve më efikase për viktimat.

​Funksionalizimi i plotë i këtij mekanizmi kërkon angazhim të përbashkët, komunikim të vazhdueshëm dhe bashkërendim të punës ndërmjet të gjitha institucioneve përgjegjëse, përfshirë shërbimet sociale, institucionet shëndetësore, Policinë e Kosovës, organet e drejtësisë si dhe organizatat e shoqërisë civile.

Drejtoresha e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Mimoza Kadriu,  u shpreh se institucioni që ajo drejton mbetet plotësisht i përkushtuar për të kontribuar në forcimin e shërbimeve mbështetëse, identifikimin e hershëm të rasteve dhe krijimin e një sistemi më të koordinuar mbrojtës.

​Luftimi i dhunës në familje nuk është përgjegjësi e vetëm një institucioni, por një detyrim i përbashkët institucional dhe shoqëror.

Përmes veprimeve konkrete dhe bashkëpunimit të mirëfilltë, synohet garantimi i më shumë sigurie dhe mbështetjeje për çdo person që përballet me dhunën, me mesazhin e qartë se dhuna nuk duhet të tolerohet dhe se çdo viktimë meriton të dëgjohet e të mbrohet.

Shpërndaj me të tjerët