Në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet Komunës së Gjilanit dhe Rrjetit të Grave të Kosovës (RRGK), sot para Mekanizmit Koordinues Kundër Dhunës në Familje u prezantuan plani i punës dhe të gjeturat nga hulumtimi i realizuar nga RRGK-ja me institucionet komunale.
Ky bashkëpunim është formalizuar disa muaj më parë përmes nënshkrimit të Memorandumit të Mirëkuptimit, me synim funksionalizimin, fuqizimin dhe avancimin e punës së këtij mekanizmi mbrojtës.
Gjatë takimit u prezantuan të gjeturat e hulumtimit, të cilat pasqyrojnë nevojat, sfidat dhe kërkesat e institucioneve komunale gjatë trajtimit të rasteve të dhunës në familje.
Po ashtu, u diskutua mbi rëndësinë e identifikimit të mangësive ekzistuese, përcaktimit të prioriteteve dhe planifikimit të veprimeve konkrete që do të ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e koordinimit ndërinstitucional dhe ofrimin e shërbimeve më efikase për viktimat.
Funksionalizimi i plotë i këtij mekanizmi kërkon angazhim të përbashkët, komunikim të vazhdueshëm dhe bashkërendim të punës ndërmjet të gjitha institucioneve përgjegjëse, përfshirë shërbimet sociale, institucionet shëndetësore, Policinë e Kosovës, organet e drejtësisë si dhe organizatat e shoqërisë civile.
Drejtoresha e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Mimoza Kadriu, u shpreh se institucioni që ajo drejton mbetet plotësisht i përkushtuar për të kontribuar në forcimin e shërbimeve mbështetëse, identifikimin e hershëm të rasteve dhe krijimin e një sistemi më të koordinuar mbrojtës.
Luftimi i dhunës në familje nuk është përgjegjësi e vetëm një institucioni, por një detyrim i përbashkët institucional dhe shoqëror.
Përmes veprimeve konkrete dhe bashkëpunimit të mirëfilltë, synohet garantimi i më shumë sigurie dhe mbështetjeje për çdo person që përballet me dhunën, me mesazhin e qartë se dhuna nuk duhet të tolerohet dhe se çdo viktimë meriton të dëgjohet e të mbrohet.
