KOSOVË/UKZ pjesë e vendimeve të rëndësishme për arsimin e lartë

Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan po vazhdon të luajë një rol kyç në formësimin e politikave arsimore dhe kërkimore në nivel vendi.

Në takimin e rregullt të Konferencës së Rektorëve të Institucioneve Publike të Arsimit të Lartë të Republikës së Kosovës, të mbajtur në Universitetin “Haxhi Zeka” në Pejë, UKZ u përfaqësua nga u.d. Rektorja, Fitore Malaj.

​Gjatë këtij takimi, ku drejtimi i Konferencës së Rektorëve i kaloi Rektorit të Universitetit “Haxhi Zeka”, Armand Krasniqi, drejtueset e universiteteve publike diskutuan për prioritetet strategjike, sfidat e përbashkëta dhe mundësitë e avancimit të cilësisë akademike.

Përmes pjesëmarrjes së saj, znj. Malaj riafirmoi përkushtimin e UKZ-së për të kontribuar aktivisht në reformimin dhe modernizimin e arsimit të lartë në vend.

​Përmes Deklaratës së miratuar për vitin akademik 2026/2027, Universiteti i Gjilanit do të jetë pjesë e drejtpërdrejtë e mbështetjes për hartimin e Strategjisë së Arsimit 2035+ dhe partneritetit me Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.

Gjithashtu, UKZ do të marrë pjesë në konferencën e përbashkët ndëruniversitare kushtuar digjitalizimit dhe profilizimit akademik, si dhe në Samitin e Universiteteve Gjithëshqiptare që do të organizohet në pranverën e vitit 2027 me pjesëmarrjen e institucioneve nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.

Shpërndaj me të tjerët