Këshilltari komunal dhe njëherësh banori i kësaj zone, Fadil Ademi, i ka drejtuar një apel publik ndërmarrjes rajonale të ujësjellësit KRU “Hidromorava” në Gjilan, duke ngritur shqetësimin për gjendjen e rrugës nga qendra e qytetit deri në lagjen Arbëria, ku po realizohen punimet në rrjetin e ujësjellësit nga operatori “Alfa I”.
Ademi ka bërë të ditur se kanali i hapët nuk po mirëmbahet siç duhet dhe po mbulohet me zhavorr me përmbajtje të lartë dheu e balte, gjë që me pak reshje po e bën qarkullimin mjaft të vështirë për kalimtarët dhe automjetet.
Përmes këtij apeli, ai i kërkon KRU “Hidromorava” të rritë mbikëqyrjen ndaj operatorit ekonomik, me qëllim që punimet të kryhen me dinamikë më të shpejtë, kujdes dhe përgjegjësi, si dhe të përdoret zhavorr i pastër e i përshtatshëm për mbulimin e kanalit.
Ai ka theksuar se investimet për përmirësimin e shërbimeve janë të mirëseardhura, por ato duhet të shoqërohen me organizim adekuat për të mos dëmtuar përditshmërinë e qytetarëve dhe ecurinë e bizneseve të vogla të kësaj zone, të cilat përballen me rënie të klientëve për shkak të qasjes së vështirësuar.
Këshilltari komunal shpreson se KRU “Hidromorava” do ta trajtojë me seriozitet këtë kërkesë dhe do të ndërmarrë masa konkrete deri në përfundimin e plotë të projektit.
/ dita24h /
