LOKALE/Këshilltari komunal Fadil Ademi kërkon ndërhyrje urgjente në rrugën drejt lagjes Arbëria

​Këshilltari komunal dhe njëherësh banori i kësaj zone, Fadil Ademi, i ka drejtuar një apel publik ndërmarrjes rajonale të ujësjellësit KRU “Hidromorava” në Gjilan, duke ngritur shqetësimin për gjendjen e rrugës nga qendra e qytetit deri në lagjen Arbëria, ku po realizohen punimet në rrjetin e ujësjellësit nga operatori “Alfa I”.

​Ademi ka bërë të ditur se kanali i hapët nuk po mirëmbahet siç duhet dhe po mbulohet me zhavorr me përmbajtje të lartë dheu e balte, gjë që me pak reshje po e bën qarkullimin mjaft të vështirë për kalimtarët dhe automjetet.

​Përmes këtij apeli, ai i kërkon KRU “Hidromorava” të rritë mbikëqyrjen ndaj operatorit ekonomik, me qëllim që punimet të kryhen me dinamikë më të shpejtë, kujdes dhe përgjegjësi, si dhe të përdoret zhavorr i pastër e i përshtatshëm për mbulimin e kanalit.

​Ai ka theksuar se investimet për përmirësimin e shërbimeve janë të mirëseardhura, por ato duhet të shoqërohen me organizim adekuat për të mos dëmtuar përditshmërinë e qytetarëve dhe ecurinë e bizneseve të vogla të kësaj zone, të cilat përballen me rënie të klientëve për shkak të qasjes së vështirësuar.

​Këshilltari komunal shpreson se KRU “Hidromorava” do ta trajtojë me seriozitet këtë kërkesë dhe do të ndërmarrë masa konkrete deri në përfundimin e plotë të projektit.

/ dita24h /

Shpërndaj me të tjerët