DREJTËSI/I caktuhet paraburgimi dy të dyshuarve për mbi 53 kg marihuanë në Gjilan

Gjilan, 18 tetor 2026 – Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke u caktuar masën e paraburgimit prej një (1) muaji të pandehurve B. A. dhe S. H., të cilët dyshohen për përfshirje në veprimtari të paligjshme të narkotikëve.

​Sipas dosjes së Prokurorisë, gjatë periudhës shtator 2026 – 16 tetor 2026, të pandehurit në bashkëpunim kanë organizuar, drejtuar, blerë, shitur, shpërndarë dhe transportuar substanca narkotike të llojit “marihuanë”.

Veprimtaria e tyre dyshohet se shtrihej në territorin e Kosovës, Shqipërisë dhe Serbisë, me qëllim të përfitimit të drejtpërdrejtë financiar, ku i pandehuri B. A. siguronte lëndën narkotike, ndërsa S. H. kryente transportin e saj.

​Gjatë kontrollit të ushtruar nga Policia e Kosovës më 16 tetor në fshatin Velekincë të Gjilanit, në pronën e të pandehurit B. A. – përkatësisht brenda veturës së tij, janë gjetur dhe konfiskuar 10 paketim me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, me peshë të përgjithshme prej 53.2 kilogramësh.

​Me këto veprime, të pandehurit dyshohet se kanë kryer në bashkëkryerje veprat penale “Organizimi, drejtimi apo financimi i trafikimit të narkotikëve apo substancave psikotrope” si dhe “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, të sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

​Gjyqtari i procedurës paraprake ka vlerësuar se janë përmbushur të gjitha kushtet ligjore për caktimin e paraburgimit, duke theksuar se masat e tjera alternative do të ishin të pamjaftueshme për zhvillimin e rregullt dhe pa pengesa të procedurës penale.

​Palët e dëmtuara dhe mbrojtja kanë të drejtë anese ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës. / dita24h /

Shpërndaj me të tjerët