Gjilan, 18 tetor 2026 – Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke u caktuar masën e paraburgimit prej një (1) muaji të pandehurve B. A. dhe S. H., të cilët dyshohen për përfshirje në veprimtari të paligjshme të narkotikëve.
Sipas dosjes së Prokurorisë, gjatë periudhës shtator 2026 – 16 tetor 2026, të pandehurit në bashkëpunim kanë organizuar, drejtuar, blerë, shitur, shpërndarë dhe transportuar substanca narkotike të llojit “marihuanë”.
Veprimtaria e tyre dyshohet se shtrihej në territorin e Kosovës, Shqipërisë dhe Serbisë, me qëllim të përfitimit të drejtpërdrejtë financiar, ku i pandehuri B. A. siguronte lëndën narkotike, ndërsa S. H. kryente transportin e saj.
Gjatë kontrollit të ushtruar nga Policia e Kosovës më 16 tetor në fshatin Velekincë të Gjilanit, në pronën e të pandehurit B. A. – përkatësisht brenda veturës së tij, janë gjetur dhe konfiskuar 10 paketim me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, me peshë të përgjithshme prej 53.2 kilogramësh.
Me këto veprime, të pandehurit dyshohet se kanë kryer në bashkëkryerje veprat penale “Organizimi, drejtimi apo financimi i trafikimit të narkotikëve apo substancave psikotrope” si dhe “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, të sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Gjyqtari i procedurës paraprake ka vlerësuar se janë përmbushur të gjitha kushtet ligjore për caktimin e paraburgimit, duke theksuar se masat e tjera alternative do të ishin të pamjaftueshme për zhvillimin e rregullt dhe pa pengesa të procedurës penale.
Palët e dëmtuara dhe mbrojtja kanë të drejtë anese ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës. / dita24h /
