Gjilan, 18 tetor 2026 – Dje u hap solemnisht edicioni i 17-të me radhë i manifestimit tradicional “Vjeshta Letrare e Gjilanit”, në ambientet e Bibliotekës së Qytetit “Fan S. Noli”.
Aktiviteti i parë nga nëntë sosh që do të organizohen përgjatë dy muajve të ardhshëm, i u përkushtua shënimit të 80-vjetorit të lindjes së shkrimtarit, studiuesit dhe kritikut të shquar letrar, prof. dr. Anton Nikë Berisha.
Nën moderimin e krijueses dhe magjistres së letërsisë Blinerë Hajdari, ngjarja mblodhi personalitete të shumta letrare e kulturore nga Prishtina, Tirana e Kosova Lindore, si Nazmi Rrahmani, Ibrahim Kadriu, Ramadan Mehmeti, Llesh Ndoji, Vlash Prendi, Albina Idrizi, Nexhat Rexha, Frrok Zefi, Mehmetali Rexhepi, si dhe veprimtarë publikë e ish-deputetët Lirije Kajtazi e Ismajl Kurteshi.
Për veprën dhe kontributin e paçmueshëm të Anton Nikë Berishës në letrat shqipe folën shkrimtari e studiuesi nga Tirana, Llesh Ndoj, studiuesi Prend Buzhala, romansieri Ibrahim Kadriu, si dhe drejtuesi i Ars Club-it “Beqir Musliu”, shkrimtari Sabit Rrustemi.
Ndërkaq, anëtaret e Ars Club-it: Linditë Dushku, Liridonë Mehmeti dhe Donjetë Kryeziu, deklamuan krijime të reja poetike të autorit.
Në fjalën e tij përmbyllëse, prof. dr. Anton Nikë Berisha u shpreh tejet falënderues për vlerësimin dhe nderimin që i bën Gjilani.
Me këtë rast, ai i dhuroi drejtorit të bibliotekës, Qazim Azizi, si dhe artdashësve të pranishëm, disa nga botimet e tij më të reja.
Gjatë kësaj veprimtarie, Ars Clubi “Beqir Musliu” shpërndau falas për audiencën numrin më të ri të revistës letrare “AGMIA” (nr. 52), i cili i përkushtohet jubileut të prof. dr. Anton Nikë Berishës.
Botimi i këtij numri u mbështet financiarisht nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit e Republikës së Kosovës. / dita24h /
