SPORT/​Gjilani mposht Feronikelin me penallti në sekondat e fundit

SC Gjilani ka shënuar një fitore tejet të rëndësishme në kuadër të javës së 10-të në Superligën e Kosovës, duke mposhtur Feronikelin me rezultat minimal 1:0.

​Pavarësisht se Gjilani e dominoi takimin gjatë gjithë 90 minutave, fitorja erdhi vetëm në sekondat e fundit të ndeshjes.

Mbrojtja e ngjeshur e mysafirëve bëri që sfidat të shkonte drejt një barazimi pa gola, por një prekje e topit me dorë nga një mbrojtës i Feronikelit brenda zonës ndryshoi gjithçka.

​Nga pika e bardhë i saktë u tregua kapiteni Armend Thaçi, i cili ruajti qetësinë dhe realizoi golin e fitores së madhe për vendasit.

​Vlen të theksohet se Feronikeli i luajti 10 minutat e fundit me një lojtar më pak, pasi Astrit Thaçi u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë (të kuq) dhe u largua nga loja.

​Kjo ishte një ditë e veçantë edhe për trajnerin Zekirija Ramadani, i cili regjistroi fitoren e tij të parë në stol pasi mori timonin e Gjilanit vetëm dy ditë më parë.

​Me këtë fitore, SC Gjilani ngjitet në kuotën e 17 pikëve në tabelën e renditjes.

Shpërndaj me të tjerët