Në Gjimnazin “Zenel Hajdini” në Gjilan është realizuar me sukses një projekt i rëndësishëm solidariteti, i cili kishte dy qëllime kryesore: krijimin e një hapësire të re rekreative për nxënësit dhe ofrimin e ndihmës ushqimore për familjen e një nxënësi në nevojë.
Kjo iniciativë e veçantë lindi drejtpërdrejt nga vetë nxënësit dhe u zhvillua me mbështetjen e psikologes së shkollës, në bashkëpunim të ngushtë me Kryqin e Kuq si dhe falë kontributit të çmuar të prindërve dhe donatorëve të ndryshëm.
Përmes këtij angazhimi, një hapësirë në sallën e edukatës fizike u pastrua, u gëlqeros dhe u pajis me tavolinë pingpongu e karrige, duke krijuar kushte ideale për rekreacion, socializim dhe kalim cilësor të kohës së lirë.
Përmes lojës dhe aktiviteteve të përbashkëta, nxënësit zhvillojnë frymën e bashkëpunimit, respektit dhe miqësisë, duke përmirësuar drejtpërdrejt edhe mirëqenien e tyre psikologjike.
Me këtë rast, u shpreh mirënjohje e thellë për të gjithë nxënësit, prindërit, donatorët dhe Kryqin e Kuq, si dhe për drejtorin, zëvendësdrejtorin, koordinatoren dhe mësimdhënësit që përkrahën pa rezervë këtë aktivitet.
Një falënderim i veçantë i shkoi psikologes së shkollës, e cila i udhëzoi dhe i mbështeti nxënësit nga ideimi deri në realizimin e plotë, duke nxitur pjesëmarrjen, përgjegjësinë dhe vlerat më të larta humane.
Ky projekt dëshmon qartë se bashkimi i shkollës, familjes dhe komunitetit i shndërron idetë në vepra konkrete, duke konfirmuar se shkolla është një ambient ku, krahas dijes, kultivohen fuqishëm solidariteti, humanizmi dhe mirëqenia e përgjithshme./dita24h/
