OPINION/Shkollat duhet ta kenë “kuletën” e tyre!

Nga Murat Mustafa

Çdo vit, me fillimin e sezonit dimëror, po më rikthehet e njëjta ide: shkollat duhet ta kenë “kuletën” e tyre e jo të varen për çdo nevojë nga Komunat.

​Një defekt në kaldajë dhe tash duhet të punojmë në kushte jo të përshtatshme për zhvillimin e procesit mësimor. Po ta kishte shkolla buxhetin e vet dhe të drejtën për ta menaxhuar, ky problem do të ishte zgjidhur që në muajin korrik, e jo të presim tash nga organet kompetente, të cilat kanë qenë të informuara gati pesë muaj më herët. Zgjidhje nuk ka! Ndërkohë, nxënësit e mësimdhënësit mundohen ta zhvillojnë procesin mësimor. Se si zhvillohet mësimi në këto kushte dhe çfarë rezultate mund të presim, mund ta merrni me mend.

​Po ju jap një shembull konkret se pse shkollat duhet ta kenë buxhetin e tyre dhe ta menaxhojnë vetë.

​Shkolla “Rexhep Elmazi” në Gjilan harxhon rreth 50 tonë pelet gjatë sezonit dimëror. Çmimi i tregut është rreth 370 euro për ton, por përmes procedurave të tenderimit çmimi dalë më i lartë, duke bërë që shpenzimet për pelet gjatë sezonit të arrijnë rreth 19.000 euro. Përveç kësaj, kemi edhe pompat të cilat duhet të punojnë vazhdimisht, 24 orë, pavarësisht nëse kaldaja është në funksion apo jo. Nëse llogarisim shpenzimet e energjisë elektrike nga këto pompa, së paku 600 euro në muaj për pesë muaj, kemi edhe 3.000 euro shpenzime të tjera. Pra, gjithsej 22.000 euro vetëm në një sezon dimëror.

​Tash ta shohim një mundësi tjetër. Shkolla ka 16 klasa. Me këtë shumë prej 22.000 eurosh, mund të planifikohet pajisja e shkollës me 16 klima. Nga 22.000 euro që shpenzohen këtë vit, në vitin e parë bëhet investimi në 16 klima. Në vitin tjetër shpenzimet për ngrohje mund të përgjysmohen, duke zbritur në rreth 11.000 euro, ndoshta edhe më pak, varësisht nga konsumi i energjisë elektrike.

​Po pjesa tjetër e parave ku do të shkonte? Do të mund të shfrytëzohej për pajisjen e klasave me tabela të mençura dhe projektorë, blerjen e kompjuterëve dhe pajisjeve teknologjike, pasurimin e kabineteve të lëndëve mësimore, përmirësimin e infrastrukturës shkollore, pajisje sportive dhe mjete didaktike, si dhe përmirësimin e kushteve higjienike e sanitare. Kështu, vit pas viti, shkolla do të krijonte mundësi për të investuar në zhvillimin e saj. Paramendoni se çfarë shkolle mund të ndërtojmë brenda pesë vjetësh, nëse buxheti menaxhohet me planifikim, përgjegjësi dhe vizion!

​Për këtë arsye, shkolla duhet të jetë njësi buxhetore, me buxhet të veçantë dhe të drejtë për ta menaxhuar vetë, duke respektuar mekanizmat e kontrollit, transparencës dhe llogaridhënies. Komuna duhet të ketë rolin e mbikëqyrjes, e jo të jetë pengesë për zgjidhjen e problemeve që shkolla mund t’i adresojë vetë.

​Nuk mund të flasim për cilësi në arsim, për mësim gjithëditor dhe reforma të mëdha, ndërkohë që nuk arrijmë ta sigurojmë as ngrohjen në shkolla. Autonomia e shkollës duhet të nënkuptojë jo vetëm pavarësi në vendimmarrjen pedagogjike, por edhe përgjegjësi dhe kompetencë për menaxhimin e financave. Nuk është e rëndësishme vetëm sa para shpenzojmë, por çfarë arrijmë të ndërtojmë me to në interes të nxënësve.

​Shkollave duhet t’u besohet, por edhe duhet të mbajnë përgjegjësi për çdo euro të shpenzuar./dita24/

Shpërndaj me të tjerët