EKONOMI/Afaristi nga Gjilani, Selver Xhelili pajiset me certifikatë pronësie për hotelin 6-milionësh në Ksamil

Gjilan, 09.11.2026 – Afaristi i njohur nga Gjilani, Selver Xhelili, ka përmbyllur me sukses një proces të gjatë burokratik e ligjor, duke u pajisur zyrtarisht me certifikatën e pronësisë për hotelin më të madh në Ksamil, një investim me vlerë rreth 6 milionë euro.

​Përmes një njoftimi në rrjetet sociale, Xhelili ka bërë të ditur se kjo arritje shënon realizimin e një ëndrre të kahershme, pas një rrugëtimi sfidues që zgjodhi me përkushtim.

​“Sot mbylla një kapitull mjaft të vështirë që më zgjati plot 18 muaj: marrjen e certifikatës së pronësisë për hotelin më të madh në Ksamil, me vlerë rreth 6 milionë euro. Ishte një mision i imi i kahershëm që të jem pronar i këtij hoteli dhe sot, falë Zotit të Madhërishëm, kjo ëndërr u bë realitet,” ka shkruar ai.

Afaristi gjilanas ka shprehur mirënjohjen e tij të thellë për mbështetjen e palëkundur të familjes gjatë tërë kësaj periudhe të vështirë 18-mujore.

​“I jam përjetësisht falënderues Zotit dhe familjes sime, që në këtë rrugëtim të vështirë më qëndruan pranë, vetëm e vetëm që misioni im të realizohej. Falënderoj Zotin për të gjitha dhe jam mirënjohës për këtë sukses,” ka përfunduar Xhelili.

Investimi i tij në perlën e bregdetit shqiptar konsiderohet si një nga sukseset më të mëdha të sipërmarrësve nga Kosova në sektorin e turizmit premium në Shqipëri./dita24h/

Shpërndaj me të tjerët