Gjilan, 11 nëntor 2026 – Sindikata e Policisë së Kosovës ka pranuar nga donatori “Arkatana” një shtëpi të re me sipërfaqe mbi 100 m² dhe 3 ari truall, e cila ndodhet në një lagje të re në qytetin e Gjilanit.
Kjo shtëpi do t’i dhurohet nga Sindikata një zyrtari policor në Gjilan, si mbështetje e drejtpërdrejtë për të dhe familjen e tij.
Gjatë një ceremonie simbolike është bërë edhe dorëzimi i çelësave të shtëpisë, duke shënuar përmbylljen e këtij projekti humanitar dhe një hap të rëndësishëm drejt krijimit të kushteve më të mira të jetesës për familjen përfituese.
Nga Sindikata e Policisë së Kosovës bëjnë të ditur se ky projekt është rezultat i angazhimit sindikal dhe i bashkëpunimit konkret në mbështetje të anëtarësisë, duke dëshmuar se solidariteti merr kuptim përmes veprave konkrete.
Me këtë rast, Sindikata ka shprehur mirënjohje të thellë për donatorin “Arkatana” për bashkëpunimin dhe kontributin e dhënë, duke konfirmuar se angazhimi i tyre do të vazhdojë tutje në mbrojtje të të drejtave, dinjitetit dhe mirëqenies së zyrtarëve policorë e familjeve të tyre./dita24h/
