Në SHFMU “Rexhep Elmazi” në Gjilan është mbajtur me sukses Sfida Ndërkombëtare Bebras Computing 2026, ku morën pjesë gjithsej 112 nxënës nga klasa e tretë deri në klasën e nëntë.
Gara u zhvillua nga ora 08:00 deri në orën 16:00 dhe u organizua në dy cikle, ku në ciklin e ulët (klasat III, IV dhe V) garuan 48 nxënës, ndërsa në ciklin e lartë (klasat VI, VII, VIII dhe IX) morën pjesë 64 nxënës, shkruan /dita24h/.
Qëllimi kryesor i kësaj gare është zhvillimi i të menduarit kompjuterik (Computational Thinking), aftësive logjike dhe analitike, kreativitetit, si dhe shkathtësive për zgjidhjen e problemeve në situata të ndryshme.
Bebras është një iniciativë ndërkombëtare e edukimit në informatikë e nisur në Lituani në vitin 2004, e cila sot bashkon nxënës nga shumë vende të botës përmes sfidave që nxisin mendimin kritik dhe zgjidhjen kreative të problemeve.
Një veçori e kësaj gare është se nxënësit nuk sfidohen vetëm me njohuri teorike, por kryesisht me situata praktike, detyra interaktive dhe probleme që kërkojnë analizë, vëmendje, logjikë dhe mendim të strukturuar.
Pyetjet e konceptuara në nivele të ndryshme vështirësie i nxisin nxënësit të analizojnë informacionin, të identifikojnë modele, të zbulojnë lidhje dhe të provojnë strategji të ndryshme, duke e vënë theksin jo vetëm te përgjigjja e saktë, por edhe te procesi i të menduarit që çon drejt saj.
Nga shkolla kanë falënderuar të gjithë nxënësit për pjesëmarrjen, angazhimin dhe përkushtimin e treguar, duke njoftuar se rezultatet e garës do të publikohen dhe do t’u përcillen nxënësve pas përfundimit të procesit të vlerësimit./dita24h/
