ARSIM/112 nxënës të shkollës “Rexhep Elmazi” sfidojnë veten në garën ndërkombëtare Bebras Computing 2026

Në SHFMU “Rexhep Elmazi” në Gjilan është mbajtur me sukses Sfida Ndërkombëtare Bebras Computing 2026, ku morën pjesë gjithsej 112 nxënës nga klasa e tretë deri në klasën e nëntë.

Gara u zhvillua nga ora 08:00 deri në orën 16:00 dhe u organizua në dy cikle, ku në ciklin e ulët (klasat III, IV dhe V) garuan 48 nxënës, ndërsa në ciklin e lartë (klasat VI, VII, VIII dhe IX) morën pjesë 64 nxënës, shkruan /dita24h/.

​Qëllimi kryesor i kësaj gare është zhvillimi i të menduarit kompjuterik (Computational Thinking), aftësive logjike dhe analitike, kreativitetit, si dhe shkathtësive për zgjidhjen e problemeve në situata të ndryshme.

Bebras është një iniciativë ndërkombëtare e edukimit në informatikë e nisur në Lituani në vitin 2004, e cila sot bashkon nxënës nga shumë vende të botës përmes sfidave që nxisin mendimin kritik dhe zgjidhjen kreative të problemeve.

​Një veçori e kësaj gare është se nxënësit nuk sfidohen vetëm me njohuri teorike, por kryesisht me situata praktike, detyra interaktive dhe probleme që kërkojnë analizë, vëmendje, logjikë dhe mendim të strukturuar.

Pyetjet e konceptuara në nivele të ndryshme vështirësie i nxisin nxënësit të analizojnë informacionin, të identifikojnë modele, të zbulojnë lidhje dhe të provojnë strategji të ndryshme, duke e vënë theksin jo vetëm te përgjigjja e saktë, por edhe te procesi i të menduarit që çon drejt saj.

​Nga shkolla kanë falënderuar të gjithë nxënësit për pjesëmarrjen, angazhimin dhe përkushtimin e treguar, duke njoftuar se rezultatet e garës do të publikohen dhe do t’u përcillen nxënësve pas përfundimit të procesit të vlerësimit./dita24h/

Shpërndaj me të tjerët