Drejtori për Financa dhe Buxhet në Komunën e Gjilanit, Avdyl Kastrati, ka sqaruar procedurat dhe mbulesën buxhetore për ekzekutimin e pagave të muajit nëntor dhe dhjetor për punonjësit komunalë, si dhe mënyrën e llogaritjes së diferencës retroaktive për përvojën e punës, shkruan /dita24h/.
Sipas Kastratit, seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit Komunal të Gjilanit e mbajtur më 12 nëntor 2026 u thirr me qëllimin e vetëm që të sigurohej pagesa me kohë e pagës së nëntorit për çdo punonjës që paguhet nga buxheti i Komunës.
Për këtë qëllim, është propozuar dhe miratuar me 27 vota për transferimi i 497.972,10 eurove brenda kategorisë Paga dhe Shtesa, nga programet me mjete të lira te programet ku fondi i pagave kishte mungesë, për çka ai ka falënderuar anëtarët e Kuvendit Komunal, përfshirë edhe përfaqësuesit e opozitës.
Ai ka shpjeguar se mungesa e mjeteve ishte krijuar pasi paga e 13-të u ekzekutua bashkë me pagën e marsit 2026 sipas vendimit të Qeverisë, kosto kjo e cila nuk ishte përfshirë në planifikimin fillestar të fondit komunal të pagave.
Me transferimin e miratuar, Komuna e ka mbuluar mungesën për nëntorin pa pritur rimbursimin nga niveli qendror.
Ndërkaq, për pagat e dhjetorit, mbulesa buxhetore është siguruar përmes rishikimit të buxhetit të miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës më 29 tetor 2026 dhe të publikuar në Gazetën Zyrtare me Ligjin nr. 11/L-013 më 12 nëntor 2026.
Sa i përket llogaritjes së diferencës retroaktive për përvojën e punës, Kastrati ka sqaruar se për muajt kur shtesa për 15 vitet e para të përvojës është paguar me 0,25 për qind për çdo vit të plotë, diferenca deri në 0,50 për qind është 0,25 pikë përqindjeje për vit dhe llogaritet mbi pagën bazë dhe vitet e plota të përvojës të njohura në atë muaj.
Për ilustrim, te një mësimdhënës i arsimit fillor me pagë bazë 726,00 euro (koeficienti 6,6 × 110 euro) dhe 14 vite të plota përvojë, diferenca mujore arrin në 25,41 euro bruto, ndërsa për 24 muaj shuma totale e diferencës kap vlerën e 609,84 eurove bruto./dita24h/
