Deputeti Shaip Kamberi kërkon targat e regjistrimit me emrin e Preshevës

 

Deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka dorëzuar një iniciativë për pajisjen e komunës së Preshevës me targa të veta të regjistrimit të automjeteve. Lajmin e ka bërë publik përmes një postimi në rrjetin e tij social Facebook.

“Presheva, njësoj si komunat tjera, meriton të identifikohet me emrin e vet. Prandaj kam dorëzuar iniciativë për t’a pajisur komunën e Preshevës me tabela të veta të regjistrimit”, ka shkruar Kamberi.

Aktualisht, në Preshevë janë të regjistruara 12.387 automjete, ndërsa komuna numëron 33.449 banorë rezidentë dhe gjithsej 59.024 banorë kur llogariten edhe jorezidentët.

Sipas Kamberit, me këtë numër të madh banorësh dhe automjetesh, është plotësisht e arsyeshme dhe e domosdoshme që Presheva të ketë targat e veta, e jo ato të qytetit të Vranjës. Ai ka theksuar se Presheva meriton trajtim të barabartë dhe simbolet e saj, përfshirë edhe targat, të jenë të pranishme ashtu si në çdo komunë tjetër të Serbisë.

Siç dihet, vite më parë Bujanoci është pajisur me tabela të veta të regjistrimit, ndërsa Presheva,  e cila ka përqindjen më të madhe të shqiptarëve, ende nuk i ka.

 

Shpërndaj me të tjerët