UKZ mirëpret partnerët evropianë në ngjarjen CoVE STEM Europe

 

Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan ka hapur sot takimin e dytë të Menaxhimit të Projektit (TPM) të konsorciumit evropian CoVE STEM Europe, një iniciativë ndërkombëtare që synon krijimin e qendrave të ekselencës në arsimimin profesional dhe teknologjik.

Ky takim tre-ditor, që zhvillohet nga 18 deri më 20 nëntor, ka mbledhur ekspertë nga Kosova, Holanda, Turqia, Suedia, Gjermania dhe Italia, për të shkëmbyer përvoja, praktika të mira dhe për të zhvilluar kompetenca që përputhen me nevojat e tregut evropian të punës.

Rektori i UKZ-së, Prof. Asoc. Dr. Artan Dermaku, në fjalën e tij hapëse theksoi rëndësinë e bashkëpunimeve ndërkombëtare dhe rolin e universitetit në hartën evropiane të arsimit profesional.

Ai vuri në dukje se pjesëmarrja në këtë projekt është një mundësi për të vendosur UKZ-në dhe rajonin në qendër të inovacionit dhe zhvillimit të kapaciteteve.

Dekani i Fakultetit të Shkencave të Aplikuara, Prof. Dr. Xhevdet Thaqi, koordinatori i projektit, prezantoi vizionin dhe zhvillimet e institucionit, duke përfshirë programet e reja akademike në STEM, inteligjencë artificiale, e-qeverisje dhe inxhinieri industriale, si dhe përpjekjet për të përshtatur arsimin me nevojat e tregut dhe transformimin digjital.

Koordinatore e përgjithshme e projektit, Joan Vandehoek, vlerësoi progresin e konsorciumit dhe përkushtimin e partnerëve, duke theksuar rezultatet inkurajuese në zhvillimin e platformës evropiane të ekselencës profesionale.

Shpërndaj me të tjerët