Gazetari dhe krijuesi Nexhat Buzuku kujton me emocion vëllain e ndjerë në 3-vjetorin e vdekjes
Gazetari, publicisti dhe krijuesi Nexhat Buzuku ka kujtuar me shumë emocion vëllain e tij, Rifatin, në 3-vjetorin e ndarjes nga jeta.
Në një shkrim të ndjerë, ai ka rrëfyer dhimbjen, mungesën dhe kujtimet që vazhdojnë të jetojnë përtej kohës.
“Një qiri për vëllain tim, Rifatin”
(3 vjet nga ikja në amshim)
Buzuku shkruan se edhe pse kanë kaluar tre vjet nga vdekja e Rifatit, ai për të nuk është larguar kurrë.
“Shpesh më duket se po troket në derë… hija e tij më shfaqet para syve, sikur po më thotë diçka në atë qetësinë e butë që e kishte gjithmonë,” shprehet ai.
Rifati jetoi mbi pesë dekada. U nda nga jeta më 6 dhjetor 2022, por kujtimi i tij vazhdon të mbetet i pashlyer në zemrën e familjes. Buzuku kujton takimin e fundit në Gjilan, vetëm pak ditë para se vëllai të kthehej në Vjenë, pa e ditur askush se përqafimi i atij gushti do të ishte i fundit.
Ai tregon edhe rrethanat e fundit të jetës së Rifatit, i cili gjatë udhëtimit drejt Austrisë ishte ekspozuar ndaj një personi të infektuar me Covid-19. Pas testimit, doli pozitiv, ndërsa ditët në vazhdim u rënduan për shkak të vështirësive në frymëmarrje.
“Në natën e 6 dhjetorit zemra e tij u ndal përgjithmonë,” shkruan Buzuku, duke treguar se lajmi i hidhur u komunikua nga djali i të ndjerit.
Rifati u varros në Vjenë, larg vendlindjes, por, siç thotë Buzuku, “jo larg zemrës sime”.
Ai e përshkruan vëllain si njeri të jashtëzakonshëm, të urtë, human, të dashur dhe plot mirësi.
“Për mua ishte më shumë se vëlla: ishte shok, ishte dritë e jetës sime,” thotë ai, duke kujtuar fëmijërinë e përbashkët në fshat dhe rininë në Gjilan.
“Më mungon çdo ditë,” shton ai, duke theksuar se sot do të ndezë një qiri në kujtim të vëllait, si simbol i dritës së jetës së tij.
“Le të jetë ky qiri një dritë e vogël për një jetë të madhe.
I paharruar qoftë vëllai im, Rifati.”

