Ngarkesa dhe lodhja nga ndeshjet e shumta, si dhe disa mungesa për shkak të lëndimeve, u vërejtën edhe në këtë përballje të Dritës, e cila në Malishevë nuk arriti më shumë se një barazim, duke u kënaqur me vetëm një pikë.
Pjesa e parë e ndeshjes ishte e balancuar, edhe pse Drita kishte më shumë dominim në posedim, pa arritur të konkretizojë rastet e krijuara.
Në pjesën e dytë, u deshën 83 minuta lojë që Drita ta zhbllokonte rezultatin.
Pikërisht në minutën e 83-të, mbrojtësi Jorgo Pëllumbi shfrytëzoi një rrëmujë në zonën e Malishevës dhe e dërgoi topin në rrjetë për epërsinë 0:1.
Megjithatë, gëzimi i mysafirëve zgjati pak.
Një minutë para përfundimit të kohës së rregullt, vendasit arritën të barazonin rezultatin.
I sapoinkuadruari në lojë, Xhemajl Ibishi, shënoi me kokë për 1:1, pas një krosimi nga këndi.
Me këtë barazim, Drita merr vetëm një pikë, ndërsa të mërkurën e pret Prishtinën në Gjilan, në ndeshjen e mbetur, me të cilën do ta mbyllë sezonin vjeshtor.
