Ismet Sylejmani ka kërkuar ngritjen e një shtatore për të burgosurit politik shqiptarë të Kosovës dhe viseve shqiptare nën ish-Jugosllavi, si shenjë nderimi për sakrificën dhe qëndresën e tyre.
Sipas tij, të burgosurit politik shqiptarë kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në rrugën e lirisë, ndërsa shumë prej tyre kanë humbur jetën si pasojë e torturave çnjerëzore dhe kushteve të rënda në burgjet e ish-Jugosllavisë.
Ai thekson se, megjithë këtë sakrificë, mungon ende një vend i veçantë për përkujtim dhe respekt.
Sylejmani propozon që hapësira e njohur si Kopshti Fontana në Prishtinë të emërtohet Sheshi i të Burgosurit Politik Shqiptar, ku të ngrihet një shtatore që do të simbolizonte figurën e të burgosurit politik shqiptar, të lidhur me pranga, por krenar dhe i palëkundur.
Ai vlerëson se një shtatore e tillë do të shërbente si simbol i përhershëm kujtese dhe nderimi për sakrificën e të burgosurve politikë shqiptarë.
Ideja buron nga fjalimi i Ismet Sylejmanit i mbajtur më 25 prill 2007, në përvjetorin e Heroit të Kombit Fadil Vata.
Ndryshe, Ismet Sylejmani ka ushtruar këto funksione: anëtar i Kryesisë së Këshillit të Rrethit për Anamoravë të LPK-së, anëtar i Komitetit Drejtues të LPK-së, anëtar i Shtabit të ZOK-ut të UÇK-së, zëdhënës i Zonës Operative të Karadakut të UÇK-së dhe zëdhënës i Zonës së 6-të të TMK-së.

