Dyshime për keqpërdorim votash në Gjilan, Prokuroria nis intervistimet

Dyshime për keqpërdorim votash në Gjilan, Prokuroria nis intervistimet

Prokuroria Themelore në Gjilan ka nisur hetimet lidhur me dyshimet për keqpërdorim të votave gjatë procesit të numërimit të rezultateve zgjedhore në rajonin e Gjilanit.

Me autorizim të datës 20 janar 2026, Policia e Kosovës është ngarkuar të evidentojë çdo formë të manipulimit të votave, përfshirë falsifikimin apo ndryshimin e rezultateve, qoftë në favor apo në dëm të subjekteve politike apo kandidatëve për deputet.

Provat lidhur me këto dyshime janë pranuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve më 2 shkurt 2026.

Intervistimet e personave të dyshuar kanë filluar më 3 shkurt, fillimisht në Komunën e Vitisë, ku pas rinumërimit janë vërejtur ndryshime më të theksuara të rezultateve, ndërsa procesi është duke vazhduar edhe në komunat e tjera të rajonit.

Prokuroria njofton se në territorin e saj nuk është evidentuar ndonjë dallim i madh mes rezultateve fillestare dhe atyre pas rinumërimit, përveç një kandidati që rezulton me 145 vota më pak.

Hetimet do të vazhdojnë deri në intervistimin e të gjithë të dyshuarve.

Prokuroria Themelore në Gjilan thekson se mbetet e përkushtuar të hetojë çdo keqpërdorim të votës me qëllim të mbrojtjes së integritetit të procesit zgjedhor dhe sundimit të ligjit.

Shpërndaj me të tjerët