Drita nuk fal në transfertë, Abazaj firmos fitoren

 

Drita ka mposhtur Ferizajin në transfertë me rezultat minimal 1:0, në një ndeshje të fortë dhe me shumë duele, duke siguruar tri pikë të rëndësishme në vazhdimin e garave.

Sulmuesi i krahut, Kristal Abazaj, ka shënuar golin e vetëm të ndeshjes, duke i siguruar skuadrës së tij tri pikë të vlefshme në nisje të stinorit pranveror.

Goli i fitores u realizua qysh në minutën e tretë të pjesës së dytë, kur Abazaj shënoi golin e epërsisë, i cili më pas doli të jetë edhe vendimtar.

Me këtë fitore, Drita e kryen detyrën në stilin e kampionit dhe ngjitet një pozitë më lart në tabelën e klasifikimit, duke u renditur në vendin e tretë me 32 pikë.

Ferizaji pati disa përpjekje dhe aksione për të barazuar rezultatin, por pa sukses, pasi portieri gjilanas Maloku ishte në nivelin e detyrës, duke ruajtur portën të paprekur.

Kjo fitore e afron Dritën edhe më shumë me kreun e tabelës, duke shënuar një ngritje serioze dhe të qëndrueshme në renditje.

Shpërndaj me të tjerët