Gjilani është pasuruar me edhe një specialist të ri në fushën e mjekësisë. Dr. Kushtrim Mustafa ka përfunduar me sukses specializimin dhe ka marrë titullin Specialist i Urologjisë, duke e shtuar kështu këtë fushë si vlerë të rëndësishme për shërbimet shëndetësore në qytet.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë Dr. Mustafa përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ku ka njoftuar për përmbylljen e një kapitulli të rëndësishëm profesional pas pesë viteve punë, përkushtimi dhe angazhimi të vazhdueshëm.
“Sot po e mbyll një kapitull të rëndësishëm pas 5 viteve punë, përkushtim dhe angazhim të vazhdueshëm. Me shumë krenari njoftoj se përfundova specializimin dhe mora titullin Specialist i Urologjisë,” ka shkruar ai.
Dr. Mustafa ka falënderuar komisionin vlerësues të kryesuar nga Prof. Dr. Petrit Nuraj, si dhe anëtarët Dr. Avni Fetahu, Dr. Sci., dhe Ass. Dr. Ilir Miftari, PhDc, për profesionalizmin dhe vlerësimin e treguar gjatë procesit të specializimit.
Po ashtu, ai ka shprehur mirënjohje për Prof. Ass. Dr. Arber Neziri për asistimin dhe ndihmën në pjesën praktike gjatë intervenimit, si dhe një falënderim të veçantë për mentorin e tij klinik, Dr. Destan Kryeziu, për udhëzimin, mbështetjen dhe njohuritë e çmuara gjatë gjithë periudhës së specializimit.
Falënderime ka adresuar edhe për drejtorin e Klinikës së Urologjisë, Dr. Bujar Frangu, si dhe për të gjithë stafin dhe kolegët e Klinikës së Urologjisë për bashkëpunimin dhe frymën ekipore ndër vite.
“Në fund, falënderimi më i madh i takon familjes sime për mbështetjen e pakushtëzuar, e në veçanti gruas sime, për përkrahjen në çdo hap gjatë kësaj periudhe të specializimit,” ka përfunduar Dr. Mustafa.
Përfundimi i këtij specializimi përbën një lajm të mirë për shërbimet shëndetësore në Gjilan, duke rritur kapacitetet profesionale në fushën e urologjisë dhe kujdesin ndaj pacientëve.

