Rajoni i Gjilanit në aktivitete vetëdijësuese për Ditën Botërore kundër Kancerit
Në kuadër të shënimit të Ditës Botërore kundër Kancerit, ekipet e Mjekësisë Sociale nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), në bashkëpunim me Qendrat Rajonale të Shëndetit Publik, kanë realizuar një sërë aktivitetesh informuese dhe edukative për qytetarët dhe grupet e synuara, me theks të veçantë në Rajonin e Gjilanit.
Aktivitetet janë fokusuar në parandalimin e sëmundjeve malinje, zbulimin e hershëm të kancerit si dhe promovimin e një stili të shëndoshë të jetës, përmes ligjëratave dhe sesioneve informuese në institucione shëndetësore, arsimore dhe në komunitet.
Në Rajonin e Gjilanit, Qendra Rajonale e Shëndetit Publik Gjilan, në koordinim me Këshillat Komunalë për Edukim Shëndetësor (KESH), ka zhvilluar një varg aktivitetesh në kuadër të promovimit dhe edukimit shëndetësor.
Në fokus kanë qenë ligjëratat vetëdijësuese për kancerin e qafës së mitrës, të mbajtura nga Dr. Igballe Qerimi, për punëtorë shëndetësorë, staf mësimdhënës, nxënës, punëtorë laboratorikë, si dhe për prindër dhe komunitetin në përgjithësi.
Ligjëratat janë mbajtur në QRSHP Gjilan, QKMF Viti, si dhe në disa shkolla fillore dhe të mesme në Gjilan dhe Viti, duke përfshirë stafin mësimdhënës dhe nxënësit e klasave të ndryshme.
Gjatë zhvillimit të këtyre aktiviteteve, nga IKSHPK dhe QRSHP është bërë edhe shpërndarja e materialeve edukativo-shëndetësore, me qëllim rritjen e njohurive dhe ndërgjegjësimit të popullatës.
IKSHPK, në bashkëpunim me Qendrat Rajonale të Shëndetit Publik, mbetet i përkushtuar në promovimin e shëndetit dhe në rritjen e vetëdijes së qytetarëve për parandalimin dhe luftën kundër sëmundjeve malinje, veçanërisht në Rajonin e Gjilanit.
