Nga Fikri Mehmeti
Afati kushtetues për zgjedhjen e Presidentit/es po afrohet dhe vendi duhet të zgjedhë mes dy opsioneve: vazhdimësi institucionale ose hyrje në një cikël të ri zgjedhor në një kohë kur rendi global është i paqëndrueshëm si rrallëherë më parë.
Bota sot është në një fazë rikonfigurimi të fuqive dhe interesave. Tensionet mes Shteteve te Bashkuara të Amerikës dhe Izraelit me Iranin kanë prodhuar përplasje të drejtpërdrejta dhe kërcënime për destabilizim më të gjerë rajonal.
Lufta mes Rusisë dhe Ukrainës po vazhdon të konsumojë energji politike dhe ushtarake të Perëndimit. Në Afrikë dhe Azi po hapen vatra të reja tensionesh, ndërsa ekonomia globale po ndjen efektet e zinxhirit të konflikteve.
Në këtë klimë, prioritetet e fuqive të mëdha janë siguria dhe balancat globale, jo menaxhimi i krizave të vogla politike në vende të vogla.
Kosova është shtet i ri, me institucione ende në konsolidim dhe me varësi të theksuar nga partneriteti strategjik me aleatët kryesorë. Në këtë realitet, kapitali diplomatik i ndërtuar ndër vite është aset kombëtar, jo pronë personale e askujt.
Presidentja aktuale, Vjosa Osmani, ka arritur të krijojë kanale të drejtpërdrejta komunikimi dhe besimi me qendrat vendimmarrëse në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me vendet kyçe të Bashkimit Evropian dhe me Turqi.
Në kohë krizash, njohja personale dhe besimi i krijuar paraprakisht kanë peshë konkrete në vendimmarrje.
Pyetja që duhet shtruar nuk është “kush fiton politikisht?”, por “çfarë fiton shteti?”. A është ky momenti për të nisur një proces të ri, me një figurë që do të duhet të ndërtojë nga e para kredibilitetin ndërkombëtar? Apo është më e mençur që, në një periudhë turbulencash globale, të ruhet kontinuiteti dhe stabiliteti institucional?
Një konsensus i gjerë, përtej vijave partiake, do të ishte mesazh i fuqishëm për partnerët tanë se Kosova di të sillet si shtet serioz kur rrethanat janë të jashtëzakonshme.
Përkrahja eventuale nga spektri i gjerë politik, VV si fituese e zgjedhjeve nacionale, duke përfshirë partitë shtetformuese PDK e LDK, do të demonstronte pjekuri dhe përgjegjësi historike.
Kjo nuk është çështje simpatie apo antipatie politike. Është çështje kohe dhe konteksti.
Në periudha normale, ndryshimi është pjesë e demokracisë. Në periudha të jashtëzakonshme globale, stabiliteti shpesh është strategjia më e sigurt. Kosova nuk ka luksin e eksperimenteve. Ka nevojë për siguri, unitet dhe vazhdimësi, deri sa stuhia ndërkombëtare të qetësohet. Nuk kemi kohë e komoditet për të provuar kandidatura tjera.
Në këtë moment vendimtar për shtetin, zgjedhja e Vjosa Osmani-Sadriu edhe për një mandat si Presidente e Kosovës nuk është çështje dëshire apo preference politike, është domosdoshmëri shtetërore dhe urgjencë kombëtare, dhe të mandatuarit e popullit, deputetët, bashkë me liderët e tyre politikë do të mbahen mend për ditën kur vendosën ta vendosin Kosovën mbi çdo interes tjetër.
(Autori është Politolog)
