PREKËSE / Jetojnë 7 familje dhe një mësues me 1 nxënës, rregullohet ura që ua vështirësonte jetën banorëve në Suharrën

Ka përfunduar me sukses faza e parë e punimeve për ndërtimin e urës së re që lidh dy fshatrat e Malësisë së Bujanocit, Suharrën dhe Zarbicën.

Punimet për këtë urë, e cila është vendosur saktësisht në vendin e quajtur “Selishtë”, kishin nisur para pak ditësh dhe janë financuar tërësisht nga Komuna e Bujanocit.

Kjo urë ka qenë një problem i madh dhe i kahershëm për banorët e kësaj zone, sidomos gjatë stinës së vjeshtës dhe dimrit.

Sa herë që kishte rreshje atmosferike me intensitet të shtuar, uji i madh dhe i rrëmbyeshëm i lumit bëhej i pakalueshëm, duke i detyruar banorët të ktheheshin prapa në shtëpitë e tyre dhe duke i izoluar plotësisht.

Vetëm 7 familje dhe një nxënës në shkollë

Këto të dhëna dhe detaje i ka bërë të dita Ilmi Bajrami, banor rezident i fshatit Suharrën, i cili njëherësh shërben si mësues në këtë pjesë të harruar, ku mban mësim me vetëm një nxënës.

Mësuesi Ilmi ka treguar për gjendjen e vështirë të regjistrimit të popullsisë në këtë zonë malore, duke njoftuar se momentalisht në fshatin Suharrën jetojnë vetëm 7 familje, prej të cilave 5 janë të rregullta (permanente) dhe 2 janë lëvizëse.

Ai ka shtuar se nuk e di vlerën e saktë të kostos së këtij projekti, por përmes fotografive të dërguara ka dëshmuar se puna e vrazhdë e urës tashmë ka përfunduar.

Rregullimi i kësaj pike kyçe infrastrukturore e ka bërë atë dhe të gjithë banorët e mbetur tejet të lumtur, pasi u lehtëson lëvizjen dhe u garanton lidhjen me pjesën tjetër të komunës.

 

 

Shpërndaj me të tjerët