Ka ndërruar jetë në moshën 78-vjeçare Haxhi Emerllah Bajrami, një qytetar i urtë, i dashur dhe jashtëzakonisht i respektuar në qytetin e Gjilanit. Lajmin e hidhur për ndarjen e tij nga jeta e kanë bërë të ditur familjarët e të ndjerit.
Sipas njoftimit mortor të familjes Bajrami, i dashuri i tyre ka ndërruar jetë ditën e premte, më 12 qershor 2026.
“Të Allahut jemi dhe te Ai do të kthehemi. Me pikëllim të thellë njoftojmë të gjithë familjarët, miqtë, shokët dhe dashamirët se dje me datën 12.06.2026 ka ndërruar jetë më i dashuri jonë Haxhi Emerllah Bajrami. Lusim Zotin ta shpërblejë me Xhenet”, thuhet në njoftimin e familjes.
Ceremonia e varrimit të të ndjerit do të bëhet sot, më 13 qershor 2026, me namazin e ikindisë në varrezat e qytetit në Gjilan.
Një jetë në shërbim të komunitetit dhe humanizmit
Haxhi Emerllah Bajrami ishte një figurë shumë e njohur dhe e dashur për komunitetin në Gjilan. Ai njihej si një besimtar i devotshëm dhe praktikues i rregullt i namazeve në xhaminë e lagjes “Dardania” në Gjilan, ku shquhej për urtësinë, dashurinë dhe komunikimin e ngrohtë me njerëzit.
Para shumë viteve, pasi ishte shpërngulur nga Presheva, ai kishte hapur një gjellëtore në Gjilan, e cila vlerësohet si një prej të parave të asaj kohe në qytet.
Përtej punës si biznesmen, ai fitoi zemrat e qytetarëve për shkak të shpirtit të tij human. Haxhi Emerllah Bajrami njihej si një nga pronarët që ka shpërndarë pafund shujta falas për nxënësit, studentët dhe familjet në nevojë ekonomike.
I ndjeri pas vete ka lënë dy djem dhe një vajzë, së bashku me nipa e mbesa.

