Në një atmosferë të ngrohtë dhe plot respekt, Drejtoria për Bujqësi ka organizuar një ceremoni modeste me rastin e pensionimit të inxhinierit të bujqësisë, Ejup Byqmeti, duke vlerësuar kontributin e tij shumëvjeçar në këtë institucion.
Byqmeti, i cili për vite me radhë ishte pjesë e stafit të kësaj drejtorie, është dalluar për profesionalizmin, përkushtimin në punë, korrektësinë me palët dhe frymën e mirë të bashkëpunimit me kolegët.
Gjatë ceremonisë u evokuan kujtime nga vitet e punës së përbashkët, ndërsa kolegët dhe bashkëpunëtorët vlerësuan lart kontributin e tij, duke theksuar se ai ka qenë një ndër punëtorët më të përkushtuar të Drejtorisë për Bujqësi.
Me këtë rast, drejtori i Drejtorisë për Bujqësi, Bajram Isufi, mbajti një fjalë rasti ku falënderoi Byqmetin për angazhimin dhe kontributin e dhënë ndër vite.
Në shenjë mirënjohjeje për punën dhe përkushtimin e tij, atij iu nda edhe një mirënjohje nga Drejtoria për Bujqësi.
Drejtoria për Bujqësi i shprehu mirënjohje të thellë Ejup Byqmetit për kontributin e tij shumëvjeçar, duke i uruar shëndet, mirëqenie dhe vite të mbara në pension.
Kontributi i njerëzve të tillë, siç u theksua në këtë ceremoni, nuk përfundon me pensionimin, por mbetet i gdhendur në historinë dhe sukseset e institucionit.

