Vajzat e KPP Gjilani – F dominojnë, dy tituj kampioni dhe medalje të tjera

Klubi i pingpongut KPP Gjilani – Femrat  ka shënuar rezultate shumë të mira në garat e fundit për grupmosha, duke dëshmuar edhe  një herë se puna e vazhdueshme dhe përkushtimi po shpërblehen me suksese konkrete.

Pas një dite të suksesshme për klubin, garueset e reja nga Gjilani kanë vazhduar të shkëlqejnë edhe në garat e radhës, duke siguruar tituj kampionësh dhe pozita të rëndësishme në disa kategori.

Në kategorinë U11, Zana Bllaca u shpall kampione individuale, duke treguar formë të shkëlqyer gjatë gjithë garës.

Po ashtu, në kategorinë U17, Adea Kulla arriti të fitojë titullin e kampiones individuale.

Sukseset nuk u ndalën me kaq, pasi Zana Bllaca dhe Adea Kulla triumfuan edhe në garën në çifte në kategorinë U17, duke u shpallur kampione.

Rezultate të mira arritën edhe garueset e tjera të klubit. Sara Shabani zuri vendin e tretë në kategorinë U11, ndërsa Malda Bllaca u rendit në mesin e 16 më të mirave në kategorinë U17.

Një paraqitje shumë premtuese pati edhe Rubina Sadiku, e cila në pjesëmarrjen e saj të parë në kategorinë U11 arriti të renditet ndër 8 sportistet më të mira, duke dëshmuar potencial të madh për të ardhmen.

Nga klubi theksojnë se këto rezultate janë fryt i punës së vazhdueshme, disiplinës dhe përkushtimit të madh të sportisteve të reja, të cilat çdo ditë po dëshmojnë se e ardhmja e pingpongut në Gjilan është shumë premtuese.

Një falënderim i veçantë nga klubi i është drejtuar trajnerit Naser Hasani, për punën profesionale dhe përkushtimin e tij, i cili po jep kontribut të madh në zhvillimin dhe sukseset e këtyre sportisteve.

Me këto rezultate, KPP Gjilani-Femrat  vazhdon të rritet dhe të sjellë suksese të reja në pingpongun kosovar.

 

 

Shpërndaj me të tjerët