Kryqi i Kuq dhe Shëndetësia vizitojnë fabrikën e ujit në Përlepnicë

Me rastin e Ditës Botërore të Ujit, Kryqi i Kuq i Kosovës – Dega në Gjilan, ka realizuar një vizitë në fabrikën e ujit KRU “Hidromorava” në Përlepnicë.

Kjo vizitë u bë me ftesë të Qendrës Regjionale të Shëndetit Publik (IKSHP) dhe në bashkëpunim me Drejtorinë e Shëndetësisë në Gjilan.

Kryetarja e degës, Dr. Esma Mustafa, së bashku me stafin e saj, u njoftuan nga afër me punën që bëhet çdo ditë për trajtimin dhe furnizimin e qytetarëve me ujë të pijshëm.

Gjatë vizitës u monitoruan proceset teknike dhe u pa përkushtimi i stafit të fabrikës për të garantuar që uji që shkon në shtëpitë e gjilanasve të jetë i sigurt dhe i cilësisë së lartë.

Përfaqësuesit e institucioneve vlerësuan lart profesionalizmin e punonjësve të “Hidromoravës” dhe theksuan rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet shëndetësisë dhe ndërmarrjeve publike për të mbrojtur shëndetin e qytetarëve.

Vizita  shërbeu edhe si një thirrje për të gjithë që të kujdesemi më shumë për ruajtjen e burimeve ujore.

 

Shpërndaj me të tjerët