Pas ankesave të qytetarëve për vendosjen e objekteve montuese, gjësendeve të ndryshme dhe mbeturinave, inspektorët e Shërbimeve Publike kanë dalë në terren pranë objekteve të banimit social.
Në këtë aksion në ballë ka qenë drejtori i Inspekcionit, Isa Agushi, i cili ka udhëhequr aktivitetin në terren për evidentimin e shkeljeve dhe marrjen e masave përkatëse.
Nga Drejtoria e Inspekcionit është kërkuar nga pronarët që t’i largojnë këto objekte dhe materiale të vendosura në hapësirat publike, më së largu deri më 30 prill.
Sipas njoftimit, pronarët janë informuar përmes paralajmërimeve zyrtare që t’i heqin vetë këto vendosje deri në afatin e caktuar, konkretisht deri në orën 24:00 të kësaj date.
Autoritetet komunale kanë bërë të ditur se, në rast të mosrespektimit të këtij vendimi, largimi i tyre do të bëhet nga komuna, ndërsa shpenzimet do t’u faturohen vetë pronarëve.

