Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka dekoruar me Medaljen Presidenciale të Meritave profesorin e ndjerë Hafiz Gashi, një personalitet i njohur për kontributin e madh në sportin gjilanas dhe atë kosovar.
Familja e tij shprehet me emocione të përziera, duke kujtuar jetën dhe veprën e tij:
“Sot, zemrat tona janë të mbushura me dhimbje dhe krenari të thellë, teksa kujtojmë jetën dhe veprën e më të dashurit tonë, Prof. Hafiz Gashi. Vendimi për ta dekoruar me Medaljen Presidenciale të Meritave është një nder i madh për familjen tonë dhe një vlerësim i merituar për gjithë kontributin e tij”, thuhet në reagimin e familjes.
Ata theksojnë se Gashi ishte jo vetëm pedagog, sportist dhe udhëheqës i dalluar, por edhe një figurë frymëzuese për shumë gjenerata:
“Ai ishte shtylla jonë, frymëzimi ynë dhe shembulli më i lartë i përkushtimit dhe dinjitetit. Në vitet më të vështira për vendin, ai qëndroi i palëkundur, duke i shërbyer arsimit dhe sportit edhe në rrethana të jashtëzakonshme.”
Familja shpreh se, pavarësisht mungesës së tij, trashëgimia dhe ndikimi i tij do të jetojnë përgjithmonë mes nxënësve, sportistëve dhe të gjithë atyre që e njohën dhe u frymëzuan nga veprat e tij.

