Sadete Tërnava Osmani, intelektualja që mposhti përndjekjen serbe

Në galerinë e personaliteteve të Anamoravës dhe mbarë Kosovës, emri i Prof. Dr. Sadete Tërnava Osmanit qëndron si një simbol i qëndresës dhe triumfit intelektual.

Profesorëshë universitare, poete dhe aktiviste, ajo përfaqëson brezin që fëmijërinë e pati të shënjuar nga dhuna politike, por që arriti të ndërtojë një karrierë të shkëlqyer mbi gërmadhat e persekutimit.

Kur librat fluturonin nga tytat e armëve

Për Sadeten, viti 1982 mbetet një plagë e hapur. Si një 13-vjeçare në Prishtinë, ajo pa se si fëmijëria e saj u shndërrua brenda natës në një përgjegjësi prej të rrituri.

Bastisja brutale e banesës nga policia serbe për të arrestuar babanë e saj, historianin e shquar Muhamet Tërnava, la pas një imazh që e ndjek edhe sot: faqet e librave që fluturonin nëpër dhomë, të shkelura nga çizmet e pushtuesit.

Ky akt nuk ishte thjesht një arrestim, por një përpjekje për të vrarë dijen dhe kërkimin shkencëtar mbi autoktoninë e shqiptarëve në Mesjetë.

Dëshmia e gjallë: “Çka u bë? Pse po hyni kështu?”

Në këtë rrugëtim të dhimbshëm, profesoresha Sadete kujton një moment konkret që i ka mbetur i skalitur në kujtesë: atë mëngjes dimri kur guximi i një fëmije u përball me egërsinë e një sistemi.

“Atëbotë, rreth orës shtatë të mëngjesit po përgatitesha për shkollë kur dikush trokiti fort në derë. Kur e hapa, korridori ishte mbushur me policë e ushtarë. Megjithëse e kapluar nga frika, arrita t’i drejtohem personit me mantel që udhëhiqte aksionin: ‘Çka u bë? Pse po hyni kështu, naluni pak, a po e shihni që po na tutni?’. Ai nuk u përgjigj, por më shtyu me furi dhe banesa u shndërrua në një kaos ku librat e babait hidheshin gjithandej,” rrëfen ajo me emocion.

Ky moment shënoi fundin e lumturisë fëmijërore dhe fillimin e një qëndrese të gjatë. Sytë e frikësuar të motrës së saj katërvjeçare, Fatlumes, që vështronte nga korridori i ngushtë pa kuptuar asgjë, mbeten imazhi që ushqeu te Sadetja dëshirën për të luftuar për drejtësi dhe barazi.

Trashëgimia e pathyer, kush ishte Prof. Dr. Muhamet Tërnava?

Rrugëtimi i Sadetes është i lidhur ngushtë me figurën e të atit, Prof. Dr. Muhamet Tërnavës, një prej historianëve dhe shkencëtarëve më të zëshëm të kohës.

I lindur në Lismir dhe i doktoruar në Zarë, ai ishte ndër studiuesit e parë që me fakte shkencore hodhi poshtë pretendimet e historianëve serbë mbi përkatësinë e shqiptarëve në Mesjetë.

Si shok e mik  i Jusuf Gërvallës dhe përkrahës i lëvizjeve studentore, ai u shënjestrua nga shërbimi sekret serb dhe u burgos në vitin 1982, pikërisht për t’i ndalur hovin e tij shkencor.

Sadetja kujton me krenari dhe dhimbje se si familja u shënjestrua si “armike e sistemit” pas këtij arrestimi.

Në kohët kur miqtë largoheshin nga frika e diferencimit, figura si Ukshin Hoti mbetën shtylla mbështetëse.

Hoti vizitonte shtëpinë e tyre edhe në ditët më të errëta, duke e nxjerrë profesor Muhametin nga izolimi i shtëpisë me fjalët: “Muhamet, ec po dalim se ata kështu kanë qejf me na pa, të rraskapitur e të mërzitur”.

Kjo qëndresë e të atit u bë udhërrëfyes për rrugëtimin akademik të vetë Sadetes.

Kjo periudhë sakrifice formësoi te Sadetja bindjen se “e mira nuk vdes kurrë” dhe se edukimi është arma më e fortë e lirisë.

Zhvendosja në Gjilan, dashuria dhe kapitulli i ri akademik

Ndonëse sistemi ia mohoi pasaportën dhe mundësinë për të studiuar në Angli për shkak të “biografisë politike”, Sadetja nuk lejoi që barrierat shtetërore t’i ndalnin ëndrrat.

Ajo shkëlqeu në studimet për Gjuhë Angleze dhe Letërsi Shqipe në Prishtinë, duke u përgatitur për një rrugëtim të gjatë intelektual.

Kthesa e madhe në jetën e saj ndodhi në fillim të viteve ’90, kur pas martesës, ajo u zhvendos në qytetin e Gjilanit.

Kjo zhvendosje, që fillimisht dukej si një shkëputje nga vendlindja, u shndërrua në një prej periudhave më frymëzuese të jetës së saj.

Në Gjilan, Sadetja krijoi familjen e saj dhe u bekua me tre fëmijë, të cilët u bënë shtylla e saj e forcës krahas karrierës.

Si profesoreshë në Gjimnazin “Zenel Hajdini”, ajo u bë shpejt pjesë integrale e qytetit, duke ndërtuar shoqëri të reja dhe duke u përshtatur me një mjedis që e mirëpriti me respekt të lartë.

Pavarësisht kohërave të vështira politike të viteve 1992/93, Sadetja gjeti te kolegët dhe qytetarët e Gjilanit një mbështetje të palëkundur, duke e shndërruar këtë qytet në shtëpinë e saj të dytë, ku kontributi i saj profesional filloi të gërshetohej mrekullueshëm me jetën publike dhe aktivizmin shoqëror.

Zëri i grave dhe aktivizmi shoqëror

Përtej botës akademike, Prof. Dr. Sadete Tërnava Osmani njihet si një zë i fuqishëm për barazinë gjinore.

Frymëzimin e gjen te gjyshja dhe nëna e saj, gra që mbajtën mbi supe peshën e shtëpisë dhe mbijetesën kombëtare.

Për të, aktivizmi nuk është thjesht punë, por mision për të ndërtuar një shoqëri ku zëri i gruas dëgjohet dhe respektohet, duke luftuar maskilizmin e maskuar dhe dhunën që ende njollos shoqërinë tonë.

Një jetë mes dijes, poezisë dhe diplomacisë

Sot, Prof. Dr. Sadete Tërnava Osmani vazhdon të jetë një shtyllë e rëndësishme e jetës akademike në vend.

Ajo ndjek me përkushtim hapat e mentorëve të saj të mëdhenj, profesorëve frymëzues, duke i dhënë peshë kërkimit shkencar në fushën e gjuhësisë së aplikuar.

Për të, magjistratura dhe doktoratura nuk ishin thjesht tituj, por një sfidë e vërtetë intelektuale që e realizoi me sukses edhe në kohët kur fëmijët i kishte shumë të vegjël, duke dëshmuar forcën e gruas për të balancuar familjen me shkencën.

Përvoja e saj është e rrallë dhe e pasur; menjëherë pas luftës, në korrik të vitit 1999, ajo dha një kontribut jetik në rindërtimin e spitalit rajonal në Gjilan bashkë me ekipin finlandez, për të vazhduar më pas për vite me radhë si zyrtare për demokratizim në OSCE.

Ky rrugëtim në organizata ndërkombëtare i dha asaj një perspektivë globale, të cilën sot e transmeton te studentët e saj, duke i inkurajuar që mësimdhënia të shkojë përtej memorizimit dhe të shndërrohet në mendim kritik.

Në horizontin e saj të ardhshëm, Sadetja mbetet e lidhur ngushtë me krijimtarinë letrare dhe mbrojtjen e të drejtave të grave.

Si poete, ajo vazhdon të gjejë te vargu strehën e saj shpirtërore, ndërsa si aktiviste kërkon që barazia gjinore të mos mbetet vetëm në letër, por të nisë që nga kopshtet e deri në universitet.

Mesazhi i saj për brezat e rinj është i prerë dhe frymëzues:

“Dashuria për librin dhe leximin është i vetmi transferim i sigurt drejt një shoqërie përparimtare”.

Ajo beson fuqishëm se vetëm përmes dijes dhe inteligjencës emocionale mund të ndërtojmë një Kosovë ku e vërteta dhe dinjiteti njerëzor janë të paprekshme.

Shënim:

Ky tekst nuk mund të kopjohet as të tjetërsohet.

Mund të shpërndahet vetëm si link.

Falemnderit për respektimin e etikës së gazetarisë!

Botuesi dhe redaktori:

/F.S./

 

 

Shpërndaj me të tjerët