Edhe pse nuk arriti t’i bënte “asistin” e plotë rivalit lokal, SC Gjilani i ka bërë një nder të madh Dritës duke ndalur kampionin në fuqi, Ballkanin, në shtëpinë e tij.
Në kuadër të javës së 28-të të Superligës, Gjilani ka nxjerrë një barazim mjaft të rëndësishëm 1:1, duke e lënë Ballkanin tashmë pesë pikë prapa kreut.
Ndeshja nisi me vështirësi për “Kuqebardhët”. Që në minutën e 11-të, sulmuesi i krahut të Ballkanit, Almir Kryeziu, tregoi klasin e tij duke kaluar mbrojtjen gjilanase dhe me një goditje të saktë në këndin e epërm të majtë, kaloi skuadrën e tij në epërsi prej 1:0.
Gjatë pjesës së parë, Gjilani u duk se vuante nga mungesa e ideve, duke humbur topa pa nevojë dhe pa arritur të rrezikonte seriozisht portën kundërshtare.
Megjithatë, pjesa e dytë solli një fytyrë krejt tjetër të ekipit udhëtues. Trajneri Curri bëri lëvizjet e duhura taktike, të cilat fillimisht stabilizuan lojën e më pas rritën presionin drejt portës së Ballkanit.
Gjilani filloi të besonte në rezultat dhe krijoi disa raste shënimi, por goli i qetësisë për ta dhe i “stuhisë” për Ballkanin erdhi vetëm në sekondat e fundit.
Në minutën e 90-të, kur pritej vërshëllima e fundit, kapiteni Thaçi u tregua vendimtar. Me një barazim dramatik 1:1, ai siguroi një pikë të artë për ekipin e tij.
Me këtë barazim, Gjilani arrin kuotën e 43 pikëve dhe ngjitet përkohësisht në pozitën e tretë, ndërsa Ballkani mbetet në pozitën e dytë me pesë pikë më pak se liderja aktuale, Drita.
