Klubi i Karatesë “AS Gjilani” ka treguar një formë të lartë në Turneun Memorial “Mustafë Blakaj”, i cili u mbajt këtë të diele në qytetin e Istogut.
Sportistët e këtij klubi u rikthyen në shtëpi me gjithsej gjashtë medalje, duke konfirmuar potencialin e madh që zotëron ky klub në disiplinat e Kata-ve dhe Kumite-s.
Protagonistja kryesore e këtij suksesi ishte Alnisa Miftari, e cila rrëmbeu medaljen e artë në kategorinë Kumite (-36 kg).
Suksesi u plotësua nga Kiara Beqiri, e cila fitoi dy medalje të argjendta në disiplinat Kata dhe Kumite (+28 kg), si dhe nga Erina Sherifi, e cila po ashtu u stolis me dy medalje të argjendta në kategoritë Open dhe Individuale (-54 kg).
Listës së fituesve i u bashkua edhe Hatigje Zejnullahu, e cila siguroi medaljen e argjendtë në kategorinë e Seniorëve (-55 kg).
Trajneri i KK “AS Gjilani”, Alban Beqiri, u shpreh mjaft i kënaqur me paraqitjen e garueseve të tij, duke vlerësuar lart karakterin e treguar në fushëbetejë.
“Jam shumë i kënaqur me suksesin e arritur, sidomos duke pasur parasysh faktin se bëhet fjalë për garuese të moshave shumë të reja. Ky rezultat është një motivim shtesë për punën tonë të mëtutjeshme,” deklaroi Beqiri pas përfundimit të garës.
Ky sukses në Istog dëshmon edhe një herë se Gjilani vazhdon të mbetet një “fidanishte” e vërtetë e talenteve në artet marciale.

