Në botën e futbollit, ku shpesh lëndimet shihen si pengesë për karrierën, FC Drita ka dhënë një leksion të madh humaniteti dhe profesionalizmi.
Klubi gjilanas ka bërë një lëvizje të papritur ndaj mesfushorit të tij, Ilir Mustafa, duke i ofruar rinovimin e kontratës në një kohë kur ai ndodhet jashtë fushave për shkak të një lëndimi të rëndë.
Gjithçka ndodhi gjatë ndeshjes kundër Ferizajt, ku Mustafa kishte shkuar thjesht si spektator për të mbështetur shokët e skuadrës.
Drejtuesit e klubit e ftuan në zyrë, ku në vend të një bisede të zakonshme, e pritën me kontratën e re mbi tavolinë. Futbollisti ka mbetur i shtangur nga ky veprim, duke pranuar se nuk e priste një mbështetje të tillë kaq herët.
Mesfushori qendror, Mustafa, kishte parashikuar që bisedimet për të ardhmen e tij të nisin vetëm në fund të kampionatit, pasi kanë mbetur edhe tetë xhiro deri në mbyllje të sezonit
Veten e tij e konsideron me fat që është pjesë e këtij mjedisi, gjë të cilën e bëri publike edhe gjatë një emisioni sportiv në një televizion nacional.
Për Mustafën, kjo kontratë nuk është vetëm një marrëveshje pune, por një dëshmi e besimit të palëkundur që Drita ka në aftësitë e tij, edhe kur ai nuk mund të japë kontributin në fushë.
Ky gjest i “bardhekaltërve” po vlerësohet lart në opinionin sportiv si një model se si klubet duhet t’u qëndrojnë pranë lojtarëve të tyre në ditët më të vështira.

