HISTORIKE/ Erion Bajrami bëhet volejbollisti i parë kosovar në Bundesligën gjermane

Talenti gjilanas i volejbollit, Erion Bajrami, ka shënuar një sukses historik në karrierën e tij duke u transferuar në njërën prej ligave më të forta të botës.

22-vjeçari ka nënshkruar zyrtarisht me skuadrën e njohur gjermane, Helios Grizzlys Giesen, duke u bërë kështu lojtari i parë nga Kosova që i bashkohet këtij klubi me traditë.

Ky hap i madh vjen pas paraqitjeve mbresëlënëse që Bajrami pati në elitën e volejbollit bullgar me ekipin Deya Sport.

Tani, djaloshi nga Gjilani do të ketë mundësinë të tregojë potencialin e tij në Bundesligën gjermane, një kampionat që njihet për nivelin e lartë dhe konkurrencën e ashpër evropiane.

Sot, në selinë e Federatës së Volejbollit të Kosovës (FVK), Erion Bajrami u prit nga presidenti Bahri Gjinovci.

Kreu i FVK-së e përgëzoi lojtarin për këtë arritje, duke e cilësuar si një moment krenarie për të gjithë sportin kosovar dhe si një dëshmi të rritjes së cilësisë së sportistëve tanë jashtë vendit.

I lumtur për këtë sfidë të re, Bajrami u shpreh se ky transferim është realizim i një synimi të madh.

“Kam luajtur më parë në Bullgari te Deya Sport, dhe tani kam nënshkruar në Gjermani, në Bundesligë, me ekipin Helios Grizzlys. Jam shumë i lumtur për këtë hap të ri në karrierën time dhe mezi pres të jap maksimumin në këtë nivel,” deklaroi volejbollisti gjilanas.

Transferimi i tij te skuadra e themeluar në vitin 1981, konfirmon se volejbolli kosovar po prodhon emra që mund të konkurrojnë në nivelet më të larta të Evropës.

 

Shpërndaj me të tjerët