Asamblisti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Kuvendin Komunal të Gjilanit, Burhan Isufi, i ka drejtuar një kërkesë publike Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Hidromorava”.
Ai ka kërkuar largimin e menjëhershëm të tarifës për kanalizim nga faturat e banorëve të disa fshatrave të Gjilanit dhe kthimin e mjeteve që janë inkasuar deri më tani.
Sipas Isufit, vendosja e kësaj tarife nuk mbështetet në baza të ligjshme dhe rëndon pa të drejtë xhepat e qytetarëve, duke i ftuar organet përgjegjëse për shqyrtim urgjent.
Kjo kërkesë vjen në një kohë kur ndaj kompanisë “Hidromorava” ka ankesa të rregullta e të vazhdueshme nga qytetarët për shkak të ndërprerjeve të shpeshta të ujit të pijshëm, veçanërisht nga banorët e lagjes “Kamnik” dhe disa lagjeve të tjera të qytetit, të cilët po përballen me vështirësi në furnizim.
Më poshtë mund ta lexoni kërkesën e plotë të asamblistit Burhan Isufi:
KËRKESË PUBLIKE DREJTUAR K.R.U “HIDROMORAVA”
I kërkoj publikisht K.R.U “Hidromorava” që ta anulojë menjëherë tarifën për kanalizim dhe ta largojë atë nga faturat e qytetarëve të disa fshatrave të Komunës së Gjilanit, të cilëve u është vendosur kjo pagesë.
Vendosja e kësaj tarife është e papranueshme dhe, sipas vlerësimit tim, nuk mbështetet në bazë të ligjshme. Banorët e këtyre fshatrave nuk mund të shndërrohen në bankomat të institucioneve publike dhe të detyrohen të paguajnë tarifa të vendosura në mënyrë të padrejtë.
Po ashtu, kërkoj që çdo euro e inkasuar nga kjo tarifë t’u kthehet qytetarëve ose të kompensohet në faturat e ardhshme. Drejtësia nuk vendoset vetëm duke e hequr një tarifë të padrejtë, por edhe duke kthyer mjetet e marra prej saj.
Heshtja përballë këtij veprimi do të nënkuptonte pranimin e një padrejtësie ndaj banorëve të këtyre fshatrave. Institucionet publike ekzistojnë për t’u shërbyer qytetarëve, jo për t’i rënduar ata me tarifa të diskutueshme.
I ftoj organet përgjegjëse që ta shqyrtojnë urgjentisht ligjshmërinë e këtij vendimi dhe të ndërmarrin veprimet e nevojshme për mbrojtjen e interesit publik. Banorët e këtyre fshatrave meritojnë ligjshmëri, transparencë dhe respekt e jo fatura të padrejta.
