ART/ Skulptori gjilanas Avni Behluli mori pjesë në ekspozitën mbarëkombëtare në Preshevë

Skulptori i njohur nga Gjilani, Avni Behluli, ka përfaqësuar rajonin e Anamoravës në ekspozitën e madhe mbarëkombëtare të arteve pamore që u mbajt në Preshevë, e titulluar “Nga piktura te libri”.

Kjo ngjarje e rëndësishme kulturore ka bërë bashkë artistë të shumtë nga të gjitha trevat shqiptare.

Përmes një mesazhi, skulptori Behluli ka shprehur mirënjohjen e tij për organizimin e këtij eventi që promovon vlerat e përbashkëta kombëtare përmes artit.

Më poshtë mund ta lexoni postimin e plotë të Avni Behlulit:

“Pjesëmarrje në ekspozitën mbarëkombëtare në Preshevë ‘Nga piktura te libri’.

Falënderoj kuratorin e ekspozitës, piktorin Shqiprim Fejzullahu, për ftesën dhe angazhimin e tij. Ekspozita u realizua në mënyrë tejet profesionale, e shoqëruar me katalog dhe mirënjohje për artistët pjesëmarrës.

Kjo ngjarje kulturore ishte më tepër se një ekspozitë, ngase në Preshevë frymoi gjuha mbarëkombëtare e artit dhe kulturës, duke tubuar artistë nga të gjitha trevat shqiptare. Këtë ngjarje e madhëroi edhe prezenca e kryetares së Preshevës dhe personaliteteve të tjera.”

 

Shpërndaj me të tjerët