AKTUALITET/ Këshilltari komunal në Gjilan i përvesh mëngët, i bashkohet pastrimit të rrugëve në Velekincë

Këshilltari komunal nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) në Gjilan, Fadil Ademi, ka shfrytëzuar kohën e tij të lirë në fundjavë për t’iu bashkuar një aksioni vullnetar për pastrimin e mjedisit në fshatin Velekincë.

Përmes një mesazhi vetëdijesues, Ademi ka bërë të ditur se së bashku me disa banorë të zonës kanë arritur të pastrojnë rrugën kryesore të fshatit, rrugët “Naser Neziri” dhe “Hysen Jakupi”, si dhe nënkalimin që ndodhet afër shkollës fillore, duke ndryshuar menjëherë pamjen e këtyre hapësirave publike.

Më poshtë mund ta lexoni postimin e plotë të këshilltarit komunal, Fadil Ademi:

“Sot e shfrytëzuam kohën e lirë në mënyrën më të mirë të mundshme. Bashkë me disa banorë të Velekincës u angazhuam për ta pastruar rrugën kryesore të fshatit, rrugët “Naser Neziri” dhe “Hysen Jakupi”, si dhe nënkalimin afër shkollës.

Nuk na u desh shumë kohë, pot ndryshimi u pa menjëherë. Kjo dëshmon se kur ka vullnet dhe bashkëpunim, çdo gjë bëhet më lehtë.

Të gjitha mbeturinat që i grumbulluam i dorëzuam në deponinë e Velekincës, e cila tashmë është e hapur çdo të shtunë për pranimin e mbeturinave nga qytetarët. Le ta shfrytëzojmë këtë mundësi dhe t’i hedhim mbeturinat aty ku e kanë vendin.

Shpresoj që ky veprim i vogël të shërbejë si një mesazh për të gjithë ne. Velekinca është shtëpia jonë e përbashkët dhe pastërtia e saj është përgjegjësi e secilit. Ta duam vendin tonë jo vetëm me fjalë, por edhe me vepra.”

 

Shpërndaj me të tjerët