Më 26 qershor 1999, vetëm pak ditë pas hyrjes së forcave të KFOR-it në Kosovë, Shërbimi për Informim Publik i Zonës Operative të Karadakut të UÇK-së publikoi një njoftim mbi zhvillimet e sigurisë në Gjilan dhe Luginën e Preshevës.
Sipas njoftimit të asaj kohe, në Gjilan ishte zhvilluar një përleshje mes forcave të KFOR-it dhe paramilitarëve serbë, ndërsa raportohej edhe për dhunë, represion dhe shpërngulje të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.
Njoftimi i plotë i datës 26 qershor 1999:
Informatë për TVSH-në
Edhe pse forcat e KFOR-it kanë ardhur në Kosovë, shqiptarët megjithatë vriten e persekutohen.
Kështu dhuna dhe represioni serb tani janë fokusuar në Preshevë, Bujanovc dhe Medvegjë.
Sot kanë ardhur shumë shqiptarë këtu në Komandë të Zonës nga fshatrat Suharnë, Ramnabuqë, Qarr, Zarbincë, Muhoc e fshatra të tjera, të cilët dëshmojnë për rrahje shtazarake e shpërngulje masive.
Luftë e vërtetë është zhvilluar në qytetin e Gjilanit në mes të forcave të KFOR-it dhe paramilitarëve vendës.
Rezultat i konfrontimit dyorësh, në të cilin marinsat amerikanë shtienin mbi serbët e armatosur nga ajri dhe toka, është një serb i vrarë dhe shtatë të arrestuar.
Policia ushtarake e Zonës sonë, deri më tani i ka dorëzuar dy kriminelë serbë organeve të KFOR-it në Gjilan.
26.06.1999
Shërbimi për Informim Publik
Ismet Sylejmani
