HISTORI/ Kush ishin mjekët e parë që shërbyen në Gjilan?

Historia e mjekësisë në Gjilan daton që nga fundi i shekullit XIX dhe fillimi i shekullit XX.

Sipas të dhënave historike, mjeku i parë nga Gjilani për të cilin ka dëshmi është dr. Fahri Rashidi (1881–1944), i cili përfundoi studimet në Stamboll në vitin 1905 dhe më pas vazhdoi specializimin në Paris në vitin 1907.

Në kohën e Perandorisë Osmane, si mjek zyrtar në Gjilan shërbeu një mjek me prejardhje armene deri në vitin 1912.

Një tjetër mjek armen, H. Kalpakxhijan, ushtroi profesionin edhe në periudhën ndërmjet dy luftërave botërore, ndërsa ruhen edhe receta të lëshuara prej tij në vitet 1940 dhe 1941.

Nga viti 1912 deri në vitin 1941, në Gjilan shërbyen disa mjekë serbë.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore në qytet erdhi një mjek italian, ndërsa si mjek i dytë shërbeu dr. Dhimitër Qiriqi nga Korça, i cili ishte edhe zëvendësdrejtor i spitalit.

Pas Luftës së Dytë Botërore e deri në vitin 1966, në Gjilan punoi mjeku i njohur Aleksandër Gjokiqi.

Mjeku i parë shqiptar nga Gjilani pas luftës ishte dr. Nijazi Halimi, specialist i pneumofiziologjisë.

Më pas sistemit shëndetësor të qytetit iu bashkuan edhe emra të njohur si dr. Remzi Aliu, kirurg nga Ohri (1962), dr. Asllan Elezi nga Livoqi (1964), dr. Zeqerija Sait-Goli, dr. Muharem Gashi nga Tërnoci, gjinekologu dr. Hysen Sherifi, stomatologu dr. Jusuf Jusufi, kirurgu maksilofacial dr. Nazmi Veseli dhe urologu i parë gjilanas, dr. Shevqet Mehmeti.

FAIK ZYAZADE¹

Shpërndaj me të tjerët