Pas një procesi të gjatë kërkimor e laboratorik, profesori i Biologjisë nga Gjilani, Artan Jakupi, ka shënuar një hap të rëndësishëm shkencor në dokumentimin e biodiversitetit mikologjik të Kosovës.
Kërpudha e llojit Pleurotus ostreatus (e njohur gjerësisht si kërpudha e mepës apo e dhiut), të cilën prof. Jakupi ka tashmë një vit që e kultivon në kushte shtëpiake, është verifikuar edhe në nivel molekular e gjenetik.
Analiza e ADN-së së mostrës së izoluar në Kosovë është konfirmuar zyrtarisht nga një institut i specializuar shkencor në Gjermani, duke certifikuar identitetin gjenetik dhe taksonomik të këtij materiali biologjik.
Në një deklaratë për punën e bërë, prof. Artan Jakupi sqaron se kjo analizë dëshmon ekzistencën e këtij lloji në nivel gjenetik në krahasim me vendet e tjera, pasi në Kosovë më parë nuk janë realizuar ekzaminime të këtij niveli molekular.
Kjo punë shkencore do të shërbejë si bazë që në të ardhmen, pas ndjekjes së të gjitha procedurave administrative e shkencore, kjo linjë e dokumentuar të patentohet dhe të njihet zyrtarisht si pasuri biologjike e vendit tonë, me potencial të madh edhe për tregun e jashtëm.
Synimi i këtij hulumtimi shkon edhe më tej: futja e kësaj kërpudhe në zinxhirin ushqimor vendor si agro-produkt cilësor, duke ndihmuar drejtpërdrejt në zhvillimin e një ekonomie qarkulluese dhe vendore.
Hulumtimi ka kaluar nëpër të gjitha fazat profesionale: nga gjetja e mostrës në natyrë, izolimi, kultivimi njëvjeçar në shtëpi, vëzhgimi morfologjik, ekzaminimi mikroskopik e deri te verifikimi i ADN-së.
”Për ne, kjo nuk është vetëm një konfirmim laboratorik. Është një hap drejt dokumentimit shkencor të biodiversitetit mikologjik të Kosovës dhe një dëshmi e punës kërkimore të zhvilluar në laborator,” shprehet prof. Jakupi.
Ky rezultat i arritur nga “Fungikos Lab” në Gjilan hap rrugën për studime të mëtejshme gjenetike dhe filogjenetike, si dhe krijon mundësi të reja për zhvillimin e mikologjisë aplikative e tregtare në Kosovë. / dita24h /
