Nga Dr. Rita DEMIRI
1 Tetori shënon Ditën e ndërgjegjësimit të grave në parandalimin dhe “luftën” kundër kancerit të gjirit. Mirëpo, kjo “lufte” natyrisht që nuk ndodh vetëm gjatë muajit tetor; ajo vazhdon çdo ditë, në heshtje e me përballje të mëdha nga gra të ndryshme.
Kanceri nuk është domosdoshmërisht një dënim me vdekje!
Për ta mposhtur atë nevojitet një betejë që sigurisht nuk është e lehtë. Por, çuditërisht, pas disa viteve e sheh se nga kjo sprovë mund të nxirret edhe diçka pozitive.
Nuk do të thotë se ato janë të kënaqura që kanë kaluar nëpër këtë sëmundje, por sot, pas disa viteve, i vërejnë disa ndryshime pozitive që kanë ndodhur në jetën e tyre.
Ato kanë më tepër respekt për veten, fillojnë ta pëlqejnë ndryshimin që kanë bërë dhe personin që janë bërë.
Kërkojnë brenda vetes dhe gjejnë atë esencialen, gjejnë KRENARINË, rigjejnë feminitetin, seksualitetin dhe bukurinë. Bëhen më të hapura me ndjenjat e tyre. Nga një paciente që lufton me vdekjen, pas “luftës”, ato shndërrohen në eksperte e mësuese të jetës.
Mundohen të gjejnë kohë për t’u gëzuar dhe janë shumë më të kujdesshme për njerëzit tjerë (ndonjëherë edhe i “ngulfatin” me dashuri).
Nga ndjenja se sëmundja mund të rishfaqet, çdo gjë e bëjnë me urgjencë që të mos mbetet asgjë e papërfunduar, si për shembull udhëtimet me fëmijët dhe me njerëzit e zemrës.
Shumë pak i gjykojnë njerëzit, sepse e kanë kuptuar që nësë kalojnë kohë duke gjykuar, nuk u mbetet kohë për të dashur.
Edhe pse e dinë se nuk është e lehtë dhe se dashuria nuk kthehet gjithmonë mbrapsht , gjë që u dhemb , ato sërish mundohen të gjejnë paqe me vetveten.
Paqja nuk do të thotë të qëndrosh në një vend ku nuk ka zhurmë, shqetësim apo punë të rënda.
Paqe do të thotë të gjendesh në mes të këtyre gjërave dhe prapë se prapë të jesh i qetë në zemrën tënde.
Të gjitha këto mësime që nxirren gjatë kësaj beteje janë leksione të çmuara pozitive, të cilat do të duhej t’i kishte në mendje secili njeri, edhe pa e kaluar këtë “luftë”. Apo ndoshta, nga dëshira e madhe për të jetuar, ia atribuojnë vetes si pozitive… këtë vështirë ta thuash me siguri.
Por një gjë dihet me siguri! Gjithçka mund të durojnë, por indiferencën, jo! Indiferenca për to është më e keqe se vetë lufta.
/dita24h /
