Gjilan, 11 nëntor 2026 – Këshilltari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Kuvendin Komunal të Gjilanit, Muhadin Haziri, ka reaguar publikisht lidhur me mungesën e ngrohjes në disa nga shkollët e kësaj komune.
Haziri ka ngritur shqetësimin se, ndonëse jemi në mesin e muajit nëntor, procedura për furnizimin me dru për nevojat e shkollave në Komunën e Gjilanit është ende në proces tenderimi.
”Mesi i nëntorit, shkollat në Komunën e Gjilanit kanë nevojë urgjente për furnizim me dru për ngrohje!”, ka deklaruar Haziri.
Sipas tij, kjo situatë është krijuar si pasojë e dështimit dhe vonesave institucionale për sigurimin me kohë të lëndës djegëse.
Lidhur me mundësinë e reduktimit të orarit mësimor, Haziri u shpreh se kjo mund të aplikohet vetëm si masë e përkohshme emergjente nëse temperaturat e ulëta rrezikojnë shëndetin e nxënësve, por asnjëherë si zgjidhje afatgjatë.
”Nëse temperaturat në klasa janë aq të ulëta sa rrezikojnë shëndetin dhe mirëqenien e nxënësve, reduktimi i orarit mund të jetë një masë e përkohshme, por nuk duhet të shndërrohet në mbulim apo zgjidhje afatgjatë për dështimin e furnizimit”, theksoi ai.
Këshilltari i LDK-së kërkoi që të ndërmerren masa të menjëhershme për zgjidhjen e këtij problemi, duke nëvizuar se kjo është një çështje serioze që kërkon përgjegjësi direkte institucionale dhe sqarim të menjëhershëm publik nga ana e Komunës së Gjilanit.
