ARSIM/ Shkolla “Esat Berisha” në Llashticë pasurohet me 10 kompjuterë, donacion nga diaspora në Zvicër

Në prag të fillimit të vitit të ri shkollor 2026/2027, shkolla fillore “Esat Berisha” në Llashticë të Gjilanit është bërë me kabinet të ri teknologjik, falë një donacioni të çmuar prej 10 kompjuterësh të dhuruar nga shoqata humanitare “Llashtica vendlindja ime” me qëndrim në Zvicër.

​Mjetet e reja teknologjike do të jenë një ndihmë e madhe për përmirësimin e procesit mësimor dhe digjitalizimin e shkollës, duke u mundësuar nxënësve qasje në teknologji bashkëkohore.

​Përmes një komunikate për media, drejtoria e shkollës ka shprehur falënderimet më të sinqerta për këtë mbështetje të rëndësishme:

Në emër të shkollës sonë, nxënësve dhe stafit, shprehim falënderimin dhe mirënjohjen tonë të sinqertë për shoqatën ‘Llashtica vendlindja ime’ në Zvicër për këtë donacion të çmuar. Ky investim është një ndihmë e madhe për përmirësimin e mësimit dhe pajisjen e shkollës me teknologji bashkëkohore. Faleminderit për bujarinë, përkushtimin dhe mbështetjen tuaj të vazhdueshme ndaj arsimit dhe të ardhmes së nxënësve tanë!”

Përfaqësuesit e shkollës kanë falënderuar veçanërisht kryetarin e shoqatës, Enver Hajdari me stafin e tij, si dhe Bekim Fazliu dhe  Besim Ismaili, të cilët realizuan dorëzimin e kompjuterëve në ambientet e shkollës.

Shpërndaj me të tjerët