Studentët dhe stafi akademik i Universitetit Publik “Kadri Zeka” nga Gjilani (UKZ) kanë realizuar një vizitë të jashtëzakonshme studimore në Strasbourg të Francës, duke prekur drejtpërdrejt qendrat e vendimmarrjes evropiane dhe akademike.
Gjatë këtij rrugëtimi institucional, delegacioni gjilanas u prit në Parlamentin Evropian ku zhvilloi takime të nivelit të lartë me eurodeputetë me peshë për proceset integruese të Kosovës.
Ndër ta, ata bashkëbiseduan me austriakun Lukas Mandl për forcimin e pozicionit të Kosovës në BE, me kroatin Davor Ivo Stier për hapat diplomatikë e dialogun, si dhe me ish-ministrin estonez të mbrojtjes, Riho Terras, me të cilin u diskutua për sigurinë në Ballkanin Perëndimor.
Një moment tejet i veçantë ishte takimi me eurodeputetin suedez me prejardhje shqiptare, Adnan Dibrani, i cili shprehu gatishmërinë e plotë për të mbështetur studentët e UKZ-së në iniciativa të ardhshme ndërkombëtare.
Përveç takimeve, përfaqësuesit e universitetit ndoqën nga afër një seancë plenare votimi në Hemicycle dhe ceremoninë “Order of Merit”, ku u nderuan figura si Angela Merkel e Javier Solana.
Po ashtu, gjatë vizitës në Strasbourg City Hall, delegacioni u prit nga nënkryetari i qytetit, ku u hodhën idetë e para për mundësitë e binjakëzimit dhe bashkëpunimit ndërmjet qytetit të Strasbourgut dhe Komunës së Gjilanit.
Eksperieca e tyre u përmbyll në Universitetin e Strasbourgut, konkretisht në Fakultetin Juridik dhe atë të Shkencave Sociale, ku morën pjesë në forumin shkencor mbi zgjerimin e BE-së drejt Juglindjes.
Ky projekt i rëndësishëm madhor u mundësua falë mbështetjes së fuqishme të bizneseve të njohura, ku donatori kryesor që mbuloi pjesën më të madhe të shpenzimeve ishte kompania Cure Medica, e pasuar nga një rrjet i gjerë ndërmarrjesh vendore si Interex, Trocal Interplast, Vali Ranch, FC Drita e shumë të tjerë, të cilët investuan direkt në ngritjen e kuadrove të reja të Anamoravës.

