Drita i qëndron pranë Ilir Mustafës, kontratë e re dyvjeçare pavarësisht lëndimit

Klubi i futbollit FC Drita ka vendosur t’i qëndrojë pranë futbollistit Ilir Mustafa në një moment të vështirë për të.

Në një takim të mbajtur sot në zyrat e klubit, drejtori sportiv Valon Zymberi priti në takim Mustafën dhe i konfirmoi vendimin e klubit për vazhdimin e kontratës edhe për dy vitet e ardhshme, pavarësisht lëndimit që e mban larg fushave.

Ilir Mustafa iu bashkua “bardh e kaltërve” rreth një vit e gjysmë më parë dhe ishte në përfundim të kontratës së tij.

Megjithatë, gjatë kësaj periudhe ai u përball me disa lëndime që e penguan të japë maksimumin në fushë.

Së fundmi, Mustafa iu nënshtrua një operimi në ligamentin ACL dhe sipas parashikimeve mjekësore do të jetë jashtë fushave deri në janar të vitit 2027.

Pavarësisht kësaj, drejtuesit e FC Dritës kanë vendosur ta zgjasin kontratën me të për dy vite të tjera, duke treguar mbështetje dhe besim se ai do të rikthehet më i fortë në fushë me fanellën bardh e kaltër.

Me këtë vendim, FC Drita dëshmon se qëndron pranë futbollistëve të saj jo vetëm në momentet e suksesit, por edhe në periudhat më të vështira të karrierës së tyre.

Shpërndaj me të tjerët