SPORT/Drita sot në Andorrë për kualifikim, Nuhiu: Besoj te grupi

Kampionët e Kosovës, KF Drita, do të përballen sot në udhëtim kundër ekipit nga Andorra, Inter Club d’Escaldes, në ndeshjen e kthimit të fazës “play-off” për Conference League.

​Në taborrin e gjilanasve mbretëron një atmosferë mjaft optimiste. Edhe pse e pranojnë se përballë kanë një kundërshtar të fortë, bardhekaltërtit udhëtojnë me objektivin e qartë për të siguruar kualifikimin tutje.

​Në konferencën për shtyp para kësaj sfide përcaktuese, trajneri Ardian Nuhiu u shpreh se ekipi e ka analizuar me kujdes rivalin pas përballjes së parë:

​”Tashmë kundërshtarin e njohim më mirë sepse jemi ballafaquar javën e kaluar. Është një ekip i fortë dhe me ide të qarta. E kemi analizuar lojën e tyre deri në detajet më të vogla. Unë besoj shumë në potencialin tonë dhe te grupi i lojtarëve. Në këtë ndeshje do të jemi në një nivel tjetër nga ajo e javës së kaluar,” deklaroi Nuhiu.

Ndeshja e parë e zhvilluar të enjten e kaluar në Prishtinë mes Dritës dhe Inter Club d’Escaldes përfundoi me barazim 2:2, duke lënë gjithçka të hapur për sfidën e sotme vendimtare.

Shpërndaj me të tjerët